Profesoresha Besa Arifi i përgjigjet Presidentes dhe Shasivarit

Deklaratat e fundit të Presidentes lidhur me mundësinë e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe hapën sërish një debat të vjetër, por gjithnjë të pazgjidhur në mënyrë të drejtë: raportin ndërmjet të drejtave gjuhësore dhe funksionimit të shtetit. Argumenti kryesor që artikulohet përmes diskursit të tillë është se praktika e interpretimit ekstenziv të të drejtave kolektive etnike dhe gjuhësore mund të cënojë unitetin e shtetit apo funksionimin e sistemit juridik, dhe ky nuk është një argument i ri. Ai është përsëritur ndër vite, veçanërisht kur u votua Ligji për përdorimin e gjuhëve, atëherë kur Presidentja e tashme bashkë me shumë intelektualë të tjerë nga elita politike dhe akademike maqedonase shprehën frikë dhe mospërkrahje të ashpër për këtë ligj, duke e paraqitur të njëjtin gati si demolues të shtetit.

Por, a është vërtet kështu?

Le ta themi qartë: mundësia që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe nuk është as e pamundur dhe as e rrezikshme për shtetin. Përkundrazi, ajo është një kërkesë e arsyeshme që buron nga një realitet i thjeshtë: studentët ndjekin studimet në gjuhën shqipe, formohen profesionalisht në atë gjuhë dhe është logjike që edhe vlerësimi përfundimtar i tyre të bëhet në të njëjtën gjuhë. Kjo nuk do të thotë se ata nuk do të mësojnë asnjëherë ose nuk do të veprojnë në gjuhën maqedonase, jo vetëm për të zbatuar Ligjin për gjuhën maqedonase, por edhe për të vepruar dhe përparuar në një realitet multietnik. Por, të mos harrojmë se disa dekada më parë edhe ekzistimi i universiteteve me mësim në gjuhën shqipe shihej si rrezik për shtetin, dhe ja ku jemi, ende këtu, duke debatuar për derivatet e asaj mendësie të kahmotshme se çdo e drejtë e zgjeruar e një komuniteti e rrezikon ekzistencën e këtij shteti të vogël me probleme të mëdha, shumica të vetëshkaktuara.

Frika se çdo e drejtë kolektive e zgjeruar do të “prishë sistemin” është më shumë një refleks politik sesa një shqetësim real profesional. Në fakt, sistemi juridik nuk është i brishtë për shkak të gjuhës. Siç theksoi me shumë të drejtë disa ditë më parë një zonjë shumë e sinqertë në një emision në një televizion shqiptar ku fliten lirshëm gjuhët e vendit e megjithatë njerëzit nuk humben në përkthim, problemi i jurisprudencës në vendin tonë nuk lidhet me gjuhën në të cilën jepet një provim, por me mosfunksionimin e saj të përgjithshëm dhe me nivelin jashtëzakonisht të ulët të besimit publik ndaj gjyqësorit. Një sistem nuk dobësohet sepse pranon diversitetin gjuhësor. Ai dobësohet kur humb besimin e qytetarëve.

Dhe më pas vinë argumentet tjera që shpesh përsëriten sa herë që aktualizohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, të tipit: “Nuk ka mundësi teknike për përkthim”, “Nuk ka sa duhet buxhet për këto gjëra sepse ne megjithatë nuk jemi Finlandë por një shtet i varfër” të cilave tani u shtohen edhe: “Do të humbemi në përkthim” dhe “Nuk mund të ketë dy komisione për të njejtin provim”. Por në një shoqëri ku ekzistojnë shumë profesorë, juristë dhe profesionistë që operojnë në mënyrë të përditshme në të dy gjuhët, shqip dhe maqedonisht, këto argumente fillojnë të gjasojnë gjithnjë e më shumë me fjalinë “Nuk duam” se sa “Nuk mundet”. Për të mundur, mundet, por a ka vullnet për këtë? Sepse kur ekziston vullneti, gjendet edhe mënyra.

Në thelb, debati për gjuhën nuk është thjesht teknik. Ai është thellësisht politik dhe shoqëror. Sa herë që kërkohet zbatimi i plotë i të drejtave kolektive, veçanërisht atyre gjuhësore, rikthehet një narrativë e njohur: se zgjerimi i këtyre të drejtave rrezikon shtetin, se krijon ndarje, se minon unitetin. Të vetmin unitet që kjo kërkesë e studentëve e minon është uniteti kundër barazisë së plotë mes të gjithë qytetarëve të këtij shteti. Sepse ka ende shumë të tillë që janë të bindur se jetojnë në një realitet Orwell-ian ku të gjithë janë të barabartë, por disa janë më të barabartë se të tjerët.

Shtetet nuk shpërbëhen nga përfshirja dhe integrimi. Ato dobësohen nga përjashtimi. Një shtet që u garanton qytetarëve të tij të drejtën për të përdorur gjuhën e tyre në arsim dhe në jetën profesionale nuk e humb unitetin, ai e forcon atë. Sepse uniteti i qëndrueshëm nuk ndërtohet mbi uniformitetin, por mbi pranimin dhe respektimin e dallimeve.

Frika që shpesh artikulohet në këto raste nuk është në fakt frikë nga përkthimi apo nga procedurat. Është një frikë më e thellë, frika nga “tjetri”, nga barazia reale, nga një rend ku asnjë komunitet nuk ka epërsi mbi tjetrin. Dhe kjo është pikërisht ajo që duhet të tejkalohet në një shoqëri që aspiron të jetë demokratike dhe evropiane.

Sepse në fund të ditës, çështja është shumë më e thjeshtë sesa paraqitet: a duam një shtet që funksionon për të gjithë qytetarët e tij, apo një shtet që vazhdon të vendosë barriera aty ku nuk ka nevojë për to?

Zbatimi i përpiktë, me përkushtim dhe me sinqeritet i të drejtave kolektive etnike dhe gjuhësore nuk është një hap drejt ndarjes. Është një hap drejt barazisë. Dhe barazia, në çdo shoqëri të shëndetshme, është forca më e madhe që e mban shtetin të bashkuar.