Petar Mađar paralajmëroi ekstradim për Nikola Gruevski: Ai është një kriminel i kërkuar, nuk do të jemi deponi për kriminelë ndërkombëtarë.

Mandatari i ri hungarez Petar Mađar paralajmëroi deportimin e azilkërkuesit dhe ish-kryeministrit maqedonas dhe liderit të VMRO-DPMNE-së, Nikola Gruevski.

Në konferencën për shtyp që zgjati pothuajse tre orë dhe u mbajt pasditen e sotme në Budapest, Mađar foli edhe për Serbinë dhe Aleksandar Vučić, Ukrainën, Poloninë, Rumaninë, Rusinë dhe Bashkimin Evropian. Pyetja drejtuar Mađarit kishte të bënte vetëm me dy ish-ministra polakë të kërkuar për korrupsion nga qeveria e re polake e udhëhequr nga Donald Tusk, të cilët kishin ikur dhe kishin marrë azil në mënyrë të ngjashme si ish-kryeministri maqedonas. Megjithatë, pa u pyetur, Mađar u deklarua edhe për Nikola Gruevskin.

“Në lidhje me funksionarët polakë të kërkuar, të cilëve u është dhënë azil në Hungari, Mađar tha: ‘ata nuk do të qëndrojnë këtu gjatë. Le të mos blejnë mobilje nga IKEA në Hungari’.”

“Hungaria nuk do të bëhet një depo për kriminelë të kërkuar ndërkombëtarisht. Kjo vlen jo vetëm për ta, por edhe për Nikola Gruevskin. Në fund të fundit, ai është ish-kryeministër i Maqedonisë së Veriut dhe një kriminel i kërkuar.”

Nikola Gruevski është në arrati që nga viti 2018, kur pas vendimit të formës së prerë për rastin “Tenk”, ai u dënua me dy vite burg. Gruevski mori azil në Hungari duke u bazuar në pretendimet se ishte i përndjekur politikisht nga kryeministri i atëhershëm, Zoran Zaev. Ai mbërriti në Hungari në mënyrë të dyshimtë, duke kaluar nëpër tre shtete të Ballkanit me automjete me targa hungareze, përpara se të transportohej në Budapest nga aeroporti i Beogradit me avion qeveritar. Në vitin 2019, gjykata në Hungari zyrtarisht refuzoi kërkesën për ekstradim nga autoritetet maqedonase. Më pas pasuan edhe kërkesa të tjera, por Budapesti zyrtar i refuzoi të gjitha përpjekjet e autoriteteve maqedonase për kthimin e të arratisurit në atdhe.