Ish-drejtori i CIA-s bën thirrje për shkarkimin e Trump: I papërshtatshëm dhe i paqëndrueshëm

Ish-drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, John Brennan, ka bërë thirrje për largimin e presidentit amerikan Donald Trump, duke e cilësuar atë të papërshtatshëm për detyrën.

Në një intervistë, Brennan deklaroi se Amendamenti i 25-të i Kushtetutës amerikane, që parashikon shkarkimin e presidentit nëse ai nuk është në gjendje të ushtrojë detyrën,“është shkruar duke pasur parasysh Trumpin”.

Ai kritikoi ashpër deklaratat e fundit të presidentit për Iranin, përfshirë kërcënimet për shkatërrimin e civilizimit iranian, duke i cilësuar ato si të rrezikshme dhe destabilizuese. “Ky person është qartësisht i paqëndrueshëm”, u shpreh Brennan.

Sipas tij, Trump përbën një rrezik serioz si komandant i përgjithshëm, duke pasur në dispozicion arsenalin ushtarak të SHBA-së, përfshirë armët bërthamore.

Deklaratat e Brennan vijnë në një moment kur debati politik në SHBA është intensifikuar, pas vendimit të administratës Trump për përshkallëzimin e konfliktit me Iranin. Më shumë se 70 ligjvënës demokratë kanë kërkuar aktivizimin e Amendamentit të 25-të, shkruan The Guardian.

Megjithatë, gjasat për një lëvizje të tillë mbeten të ulëta, për shkak të mbështetjes së fortë që Trump gëzon nga zëvendëspresidenti JD Vance dhe kabineti i tij.

Ndërkohë, përplasjet politike thellohen edhe më tej, pasi Brennan vetë është nën hetim nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, si pjesë e një serie hetimesh që përfshijnë edhe ish-drejtues të tjerë të institucioneve të sigurisë.