Jon Selimi: Frika nga Barazia: A po i shmanget shteti detyrimeve ligjore?

Protesta përfundoi. Zëri u ngrit. Mbi 2000 studentë, profesorë, figura publike dhe qytetarë dolën në rrugë. Reagimet nuk munguan, madje as ato ndërkombëtare.

Por, çfarë ndryshoi? – asgjë.

Përsëri pushteti vendos të mos dëgjojë.

Ministri i Drejtësisë vazhdon të mohojë provimin në shqip, edhe pse vetë institucionet shtetërore kanë konstatuar shkelje. Inspektorati për përdorimin e gjuhëve i ka tërhequr vërejtje Ministrisë për moszbatim të ligjit. Por përgjigjja ka qenë, si gjithmonë… indiferente.

Këta nuk po bëjnë më debat, por po e sfidojnë vetë ligjin.

Kryeministri Hristijan Mickoski luan në dy karta: në njërën anë premton zgjidhje, në tjetrën e quan çështjen të “politizuar” dhe na paralajmëron neve studentëve të mos bëhemi “vegël e opozitës”.

Pra, sipas tij, kërkesa për një të drejtë na qenka manipulim politik?

Kjo nuk është analizë, por tentativë për delegjitimim.

Ndërkohë, Presidentja Gordana Siljanovska shkon edhe më larg. Ajo thotë se përdorimi i shumë gjuhëve në nivel kombëtar është “i pazakontë” dhe shpreh frikën se mund të “humbemi në përkthim”. Madje, sipas saj, nuk është “logjike” të ketë komisione në bazë gjuhësore dhe çdo qytetar duhet ta njohë maqedonishten.

Le ta themi qartë:
Këto nuk janë argumente juridike.
Janë qëndrime politike të maskuara si jurisprudencë.

Sepse faktet janë të qarta:
• Ligji për përdorimin e gjuhëve i obligon institucionet shtetërore të mundësojnë përdorimin e gjuhës shqipe në procedura.
• Nuk ekziston as edhe një dispozitë që ndalon provimin e jurisprudencës në shqip.

Pra, ku është problemi?
Jo në ligj.
Në interpretim.
Dhe mbi të gjitha, në vullnet.

Kur një shtet pranon një gjuhë zyrtare, ai nuk ka më luksin të zgjedhë ku e zbaton e ku jo. Përndryshe, nuk kemi më shtet juridik, por selektivitet juridik.

Argumenti se “duhet ditur maqedonishtja” është i dobët. Njohja e një gjuhe nuk e përjashton të drejtën për të përdorur një gjuhë tjetër zyrtare. Në të kundërt, vetë statusi “gjuhë zyrtare” bëhet dekorativ.

Dhe tani ballafaqohemi me realitetin:
Frika.
Albanofobia.

Çfarë ndodh nëse kjo e drejtë zbatohet?

Kur kjo e drejtë të fillojë të zbatohet, kur ne ta japim provimin në shqip, do të rritet dukshëm numri i studentëve shqiptarë që do t’i nënshtrohen provimit. Rritet konkurrenca. Rritet përfaqësimi. Ndryshon realiteti.

Dhe pikërisht ky është problemi që nuk thuhet me zë.

Sepse nëse kjo do të ishte thjesht çështje teknike, do të ishte zgjidhur në vitin 2024, kur ekzistonte edhe draft-ligj për këtë çështje.

Por nuk u zgjidh.

Sepse nuk është teknike.
Është ideologjike.

Ndërkohë, kemi shembuj ndërkombëtarë që i rrëzojnë të gjitha justifikimet.

Për shembull: Zvicra funksionon me katër gjuhë zyrtare në administratë, gjykatë, arsim, qeveri, parlament, në nivel qendror si dhe lokal — pa u humbur në përkthim.

Sepse atje ekziston diçka që këtu mungon: vullneti për barazi.

Në fund, kjo nuk është betejë për provim.
Është test për shtetin.

A është ky shtet i të gjithë qytetarëve?
Apo vetëm i atyre që i përshtaten një gjuhe?

Sepse, nëse e drejta kushtëzohet nga gjuha, atëherë nuk kemi më të drejtë. Kemi privilegj.

Dhe një shtet që prodhon privilegje nuk është më shtet juridik.

Kjo nuk mbaron këtu.