Veteranët e UÇK-së: Protesta nëse zvarritet procesi për ndryshimet në Ligjin e Speciales
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shprehur shqetësimin për zhvillimet politike lidhur me plotësim-ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke paralajmëruar protesta gjithëpopullore nëse procesi vazhdon të zvarritet dhe nuk përmbyllet së shpejti.
Në një reagim për mediat, OVL e UÇK-së u ka bërë thirrje shumicës parlamentare dhe të gjitha subjekteve politike që të lënë mënjanë dallimet partiake dhe të përfundojnë sa më parë këtë proces.
“Është tërësisht e papranueshme që kjo çështje kaq e rëndësishme të zvarritet për shkak të përplasjeve politike apo presionit të bashkësisë ndërkombëtare. Qeveria dhe shumica parlamentare duhet ta kenë të qartë se përgjegjësia e tyre është të veprojnë dhe të mos lejojnë që vonesat të bëhen pengesë për përfundimin e këtij procesi”, thuhet në reagim.
Organizata rithekson se është e papranueshme dhe e pandershme që një çështje kaq e ndjeshme të përdoret për të krijuar ndasi politike apo për të thelluar përçarjet mes subjekteve politike.
OVL e UÇK-së kërkon që plotësim-ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara të miratohen me procedurë të përshpejtuar, brenda afatit më të shkurtër që lejojnë procedurat parlamentare dhe institucionale.
Ndërkohë, sot pritej që ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të hidhen në votim, por kjo nuk ndodhi pasi seanca plenare e Kuvendit të Kosovës u shty deri në njoftimin e radhës.



