E enjte, 26 Nëntor 2026
Lajm i fundit
BOTA

Trump dhe Rutte: Rusia të shmangë veprimet që zgjerojnë luftën në Ukrainë

Nga MacedoniaPress

Rusia duhet të shmangë veprimet që mund ta zgjerojnë luftën në Ukrainë. Kështu kanë deklaruar presidenti amerikan, Donald Trump, dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, pas një takimi të përbashkët të mërkurën në Florida, ku kanë diskutuar edhe për luftën në Iran.

Takimi u zhvillua pasi lideri republikan javën e kaluar, gjatë vizitës në Azi, ishte takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe liderin kinez, Xi Jinping, të cilëve u ishte referuar si “miqtë” e tij.

“Në takimin tonë diskutuam gjithashtu rëndësinë që Rusia të shmangë çdo veprim që, qëllimisht ose pa qëllim, mund ta zgjerojë luftën, si dhe rëndësinë e arritjes së një zgjidhjeje paqësore të luftës sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Trumpit dhe Ruttes.

Takimi i Trumpit me Putinin kishte nxitur reagime nga kundërshtarët e tij demokratë në SHBA dhe aleatët evropianë, të cilët kanë kërkuar të përfshihen në bisedimet e mbështetura nga Uashingtoni për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Ndërkohë, Rutte, i cili vazhdimisht është përpjekur të ulë tensionet brenda NATO-s dhe të ruajë mbështetjen e Trumpit për aleancën, ka deklaruar se takimet mes fuqive të mëdha bërthamore janë normale.

Sipas deklaratës, Trump dhe Rutte kanë diskutuar gjithashtu për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe investimeve në Shtetet e Bashkuara dhe në vendet anëtare të NATO-s.

Lufta në Ukrainë dhe lufta SHBA-Izrael kundër Iranit kanë qenë temat kryesore të bisedimeve, por në deklaratë nuk janë dhënë detaje se çfarë është diskutuar konkretisht për Iranin.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili është kritikuar vazhdimisht nga Trump, ka deklaruar se Evropa duhet të jetë pjesë e bisedimeve për paqe.

Trump, në anën tjetër, ka kritikuar shpesh aleatët perëndimorë dhe demokratikë të Uashingtonit për çështje të ndryshme, përfshirë shpenzimet e NATO-s, tarifat tregtare dhe atë që ai e konsideron si mbështetje të pamjaftueshme të tyre për luftën kundër Iranit.

Lajme të ngjashme

Swipe