E diel, 22 Nëntor 2026
Lajm i fundit
BOTA

Tre palestinezë vriten në sulmin ndaj automjetit që transportonte ndihma humanitare në Gaza

Nga MacedoniaPress

Tre palestinezë janë vrarë të shtunën nga një sulm izraelit ndaj një automjeti në qytetin e Gazës, i cili transportonte ushqime dhe dokumente për organizatën humanitare “World Central Kitchen”.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza dhe dëshmitarë okularë.

Sipas një dëshmitari të Reutersit, automjeti po transportonte produkte ushqimore të paketuara, ndërsa dokumentet brenda tij mbanin logon e organizatës “World Central Kitchen”, e cila shpërndan ushqime për banorët e Gazës.

Një tjetër dëshmitar, Abu Zein Al-Daya, ka thënë se automjeti ishte duke u përgatitur të ndalonte për të shpërndarë ushqime dhe pije për fëmijët, kur u godit nga një raketë.

“Automjeti sapo ishte gati të ndalonte për të shpërndarë ushqim dhe pije për fëmijët, kur u godit nga një raketë”, ka deklaruar ai.

Pas sulmit, rreth automjetit ishin shpërndarë edhe ushqimet e përgatitura, përfshirë pjata me oriz të gatuar. Automjeti ishte pjesërisht i mbuluar me gjakun e viktimave.

Ndërkaq, ushtria izraelite ka deklaruar se në atë zonë kishte shënjestruar disa persona që i cilësoi si operativë militantë, pa dhënë detaje të tjera.

Ushtria nuk iu përgjigj menjëherë pyetjeve lidhur me arsyen e sulmit ndaj një automjeti që, sipas dëshmitarëve, po transportonte ndihma humanitare.

As organizata “World Central Kitchen” nuk kishte dhënë menjëherë ndonjë koment lidhur me rastin.

Lajme të ngjashme