Korridori 8, i paraparë të lidhë Maqedoninë e Veriut me Shqipërinë, gjegjësisht Detin e Zi me Detin Adriatik rrezikon të mbetet i papërfunduar deri në kufirin e Qafë Thanës, pasi projekti aktual përfundon në Ohër. Sipas kryeministrit Hristijan Mickoski, arsyeja kryesore është statusi i zonës si e mbrojtur nga UNESCO, çka paraqet pengesë për realizimin e punimeve. Megjithatë ai tha se po punohet për tu gjetur zgjidhje.“Ajo pjesë me shumë gjasa nuk do të mbetet në plan për shkak se nuk varet nga ne por varet nga UNESCO, por po kërkohet mënyrë se si të përmbyllet ajo tërësi, sepse hyn në perimetrin e UNESCO-s dhe këtu do të gjejmë mënyrë se si te kemi sërish rrugë të sigurt në mesin e këtyre dy segmenteve, dhe mendoj që atë do ta bëjmë, kështu që në këtë moment, me shumë gjasa ende nuk është sjellë vendim përfundimtar, ende po flitet, po diskutohet por me shumë gjasa këtu do të kemi disa ndryshime”, deklaroi kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.Për pjesën tjetër të autostradës kryeministri tha se po i përfundojnë me sukses projektet e filluara dhe të pa përfunduara nga qeveritë e kaluara.
“Ne i përfundojmë punët. Ne thamë se kemi shumë probleme për shkak të politikave të gabuara dekada më parë. Kemi resurse të kufizuara dhe po definojmë prioritet dhe në bazë të prioriteteve i zgjidhim ata probleme, me rëndësi është se nuk sjellim probleme të reja dhe nuk krijojmë trashëgimi të keqe për gjeneratat pas nesh”, shtoi Hristijan Mickoski – kryeministër i RMV-së.Ndryshe Korridori 8 është një nga korridoret paneuropiane që kalon nga portet shqiptare në Durrës dhe Tirana, përmes Maqedonisë së Veriut dhe më tej drejt Sofjes dhe porteve bullgare në Detin e Zi. Ky korridor konsiderohet strategjik për integrimin ekonomik të rajonit dhe për mobilitetin logjistik në Ballkan.
