I dyshuari për vrasjen në Ohër, Zh. Grozdanovski, është i njëjti person i cili në vitin 2019 ishte arrestuar për kërcënime ndaj kryeministrit të atëhershëm Zoran Zaev, mëson “Fokus”. Ai figuron si lider i organizatës “Vëllazëria e Krishterë” dhe para rreth shtatë vitesh, përmes një videoje me përmbajtje kërcënuese të publikuar në rrjetet sociale, i ishte kërcënuar Zaevit dhe anëtarëve të tjerë të qeverisë së udhëhequr nga LSDM.
Siç është raportuar nga mediat, Grozdanovski është teknik anesteziologjik në KАРИЛ, ndërsa deri në vitin 2010 ka punuar në Spitalin Klinik të Tetovës. Këto informacione i ka konfirmuar edhe drejtori aktual i Spitalit Klinik në Tetovë, doktori Erzen Elezi.
Sipas burimeve, Grozdanovski kishte marrëveshje me viktimën për ta ruajtur atë në këmbim të trashëgimisë. Viktima ishte pronar i objektit hotelierik “Klimentov Konak”.
Në buletinin policor thuhet se dje në ora 17:20, në fshatin Bërvenicë të Tetovës, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë, pas një urdhër-arresti të lëshuar nga SPB Ohër, kanë privuar nga liria Zh.G. (53) nga i njëjti fshat, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “vrasje” sipas nenit 123 të Kodit Penal. Në SPB Ohër, dje në ora 08:24 është raportuar se në shtëpinë familjare në rrugën “Nada Fileva” në Ohër, pa shenja jete është gjetur 76-vjeçari K.M. nga Ohri. Në vendin e ngjarjes është kryer ekspertizë nga prokurori publik dhe ekipet policore, ndërsa mjeku i ndihmës së shpejtë ka konstatuar vdekjen. Me urdhër të prokurorit, trupi i të ndjerit është dërguar për obduksion.
