Spiropali “hap thesin”, zbulon debatet e brendshme për imunitetin e Ballukut: Këtu ka qenë ndarja ime
Elisa Spiropali ka zbardhur debatet dhe përplasjet e brendshme në Partinë Socialiste lidhur me çështjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke treguar edhe arsyet që e çuan në përplasjen me grupin parlamentar të PS-së.
Nga Kryesia e Kuvendit, Spiropali deklaroi se nuk kishte votuar në një linjë me grupin parlamentar për çështjen e imunitetit të Ballukut, vendim për të cilin kishte marrë kritika brenda partisë, madje edhe paralajmërimin për përjashtim.
Spiropali:
“Kush sheh jashtë ëndërron, kush sheh brenda zgjohet. Unë nuk kam asnjë lidhje as me zgjimin, as me papritur më erdhi në mendje. Këto që po them i kam shtjelluar më parë. Ju nuk dini as debatet e brendshme. Unë kam respektuar një lloj disipline që është e arsyeshme.
Duke parë se situata në Shqipëri po merrte në një drejtim të caktuar, në një kohë kur Shqipëria duhet të merrte një rrugë që imponon një model tjetër në disa nivele, atëherë e kam thënë edhe publikisht, aq sa kam çuditur edhe të tjerë se si ka mundësi që në këto momente po flitet për këto çështje, kur jemi mirë e bukur, dhe e kam bërë edhe me kosto personale.
Unë nuk votova bashkë me grupin në një çështje nga Prokuroria e Posaçme. Për atë mora kritika të brendshme dhe të famshmin paralajmërim përjashtim, të cilit iu përgjigja: ‘Më përjashto’. Ndërgjegjja më bënte të besoja që ky është vendimi i duhur, unë nuk mund të shkoja të votoja. Nuk është individi problemi, por legjitimimi i këtij modeli. Këtu ka qenë ndarja ime, për imunitetin, dhe më pas gjithçka tjetër ka ardhur duke u shtjelluar nga unë shumë konkretisht.
Do kemi një qeverisje që shpërndan favore me telefon, apo një model demokratik ku njerëzit do të ndihen që kanë pjesë?
Ne do të vazhdojmë ende të investojmë në një administratë politike, të grupeve, apo një administratë që u jep mundësi të gjithëve të flasin?”



