Reagon BDI: VLEN-it i mungojnë argumentet juridike, prandaj zgjedh sulmet në vend të përgjigjeve
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj përgjigjes së VLEN-it për letrën e kryetarit të partisë, Ali Ahmeti, lidhur me përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, transmeton Zyrtare.net
BDI vlerëson se kumtesa e VLEN-it nuk përmban asnjë përgjigje konkrete ndaj argumenteve juridike dhe fakteve të paraqitura nga Ahmeti, duke e cilësuar reagimin si politik dhe pa përmbajtje juridike.
“Nuk ka asnjë kundërshtim konkret, asnjë dispozitë ligjore dhe asnjë argument që do të rrëzonte qëndrimet e tij. Përkundrazi, kemi të bëjmë me një reagim politik pa përmbajtje juridike, që duket se është përgatitur në qendrën e VMRO-DPMNE-së”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Nga kjo parti thonë se përfaqësuesit e VLEN-it, para se të vinin në pushtet, deklaronin se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare dhe se pikërisht ata e kishin bërë të tillë, ndërsa tani, sipas BDI-së, po mbajnë qëndrime që relativizojnë statusin e saj.
BDI thekson gjithashtu se VLEN nuk është prononcuar për konstatimet e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, të cilat, sipas saj, përputhen me argumentet e paraqitura nga Ali Ahmeti.
Sipas BDI-së, Ligji për përdorimin e gjuhëve duhet të zbatohet në të gjitha fushat që mbulon, përfshirë edhe provimet profesionale shtetërore.
“Gjuha shqipe nuk mbrohet me deklarata politike dhe me arsyetime për pafuqinë e pushtetit. Ajo mbrohet duke zbatuar ligjin dhe duke garantuar të drejtat që ai i përcakton”, përfundon reagimi i BDI-së./ZYRTARE.net



