VLEN i përgjigjet letrës së Ali Ahmetit: Miratuat tre ligje për gjuhën shqipe, por asnjëri nuk e zgjidhi çështjen
VLEN i është përgjigjur publikisht letrës së kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, lidhur me përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, duke e cilësuar atë si “pamflet propagandistik” që, sipas tyre, synon të krijojë konfuzion dhe të thellojë ndasitë mes qytetarëve, raproton ZYRTARE.net
Në reagimin e publikuar, VLEN rikujton se gjatë viteve 2008, 2011 dhe 2018, në tre mandate qeverisëse, BDI-ja kishte miratuar tre ligje të ndryshme për përdorimin e gjuhës shqipe, por sipas tyre, asnjëri prej tyre nuk e kishte siguruar barazinë e plotë institucionale të shqipes me gjuhën maqedonase.
“Gjatë viteve të qeverisjes së partisë që drejtoni, një e vërtetë mbetet e pakontestueshme: Ju asnjëherë nuk arritët që ta bëni gjuhën shqipe plotësisht të barabartë me gjuhën maqedonase në formë institucionale”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Sipas VLEN-it, zgjidhjet e miratuara gjatë qeverisjes së BDI-së kanë lënë pa rregullim të plotë përdorimin e shqipes në disa fusha, përfshirë jurisprudencën, bankat, ushtrinë, policinë, institucionet shëndetësore, si dhe te avokatët, noterët dhe përmbaruesit.
Në reagim përmendet edhe Ligji për përdorimin e gjuhëve i vitit 2019, për të cilin VLEN pretendon se e ka bërë zbatimin e gjuhës shqipe në institucione vullnetar dhe jo obligativ.
VLEN ngre gjithashtu pikëpyetje për përdorimin e gjuhës shqipe në procedurat gjyqësore, duke pyetur Ahmetin se përse bashkëpunëtorët e tij të akuzuar për keqpërdorime të pozitës flasin maqedonisht në seancat gjyqësore, nëse shqipja është zyrtare në praktikën gjyqësore.
Partia në pushtet kritikon edhe atë që e quan mungesë të vetëkritikës nga ana e Ahmetit, duke e akuzuar për paraqitje të një realiteti të shtrembëruar politik dhe social për interesa politike.
Në përfundim, VLEN thotë se mbrojtja e sinqertë e gjuhës shqipe duhet të nisë me pranimin se tre ligjet e miratuara gjatë qeverisjes së BDI-së nuk e kanë zgjidhur plotësisht çështjen e përdorimit zyrtar të saj./ZYRTARE.net/



