Arrestohen edhe katër të dyshuar lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për Dukagjinin se katër persona janë arrestuar në lidhje me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Prokuroria nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me identitetin e të arrestuarve apo dyshimet që rëndojnë ndaj tyre.
Arlinda Zekaj, 49-vjeçare nga Peja, dyshohet se u vra nga ish-kunati i saj më 25 tetor 2026 në Vitomiricë të Pejës.
Para se të vritej, Arlinda Zekaj kishte kërkuar ndihmë nga institucionet dhe kishte qenë e pajisur me urdhër mbrojtës. Madje, vetëm tri ditë para vrasjes, ajo i ishte drejtuar kryeprokurores së Pejës, të cilës i kishte shprehur shqetësimin për sigurinë e saj.
Pas vrasjes, për shkak të dyshimeve për neglizhencë institucionale, u suspenduan kryeprokurorja dhe prokurorja e rastit, si dhe 11 zyrtarë policorë. Ndërkaq, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dha dorëheqje.
Rasti nxiti protesta me kërkesa për drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.
Po ashtu, Kuvendi i Kosovës themeloi një Komision Hetimor Parlamentar për të shqyrtuar rrethanat e rastit dhe veprimet e institucioneve përgjegjëse.



