Konjufca në Athinë, kërkon nga Greqia njohjen e Kosovës
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, ka zhvilluar takime diplomatike në Athinë me përfaqësues të Greqisë dhe Hungarisë, ku në fokus kanë qenë marrëdhëniet dypalëshe, njohja e Kosovës dhe procesi i integrimit evropian.
Gjatë takimit me ministrin e Jashtëm grek, George Gerapetritis, Konjufca ka kërkuar që Greqia të ndërmarrë hapin e njohjes së pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar atë si një zhvillim të rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe stabilitetin rajonal.
Ai ka vlerësuar gjithashtu mbështetjen e Athinës për liberalizimin e vizave dhe ka ftuar homologun grek për një vizitë të ardhshme në Kosovë.
Ndërkohë, në takimin me zëvendëskryeministren dhe ministren e Jashtme të Hungarisë, Anita Orbán, diskutimet u përqendruan te perspektiva evropiane e Kosovës dhe bashkëpunimi mes dy shteteve.
Konjufca ka kërkuar mbështetjen hungareze për avancimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa ka vlerësuar kontributin e Hungarisë në garantimin e sigurisë në rajon.
Në të dyja takimet është shprehur gatishmëria për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit politik dhe ekonomik.
/rtsh.al/



