AKI-ja padit kryetarin e Komunës së Shutkës Kurto Dudush
Grupi i këshilltarëve të koalicionit AKI në Këshillin e Komunës së Shuto Orizarit ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup ndaj kryetarit të Komunës, kryesuesit të Këshillit dhe personave përgjegjës në administratën komunale.
Në kallëzimin penal, të dorëzuar më 2 nëntor 2026, kërkohet që Prokuroria të hetojë dyshimet për veprat penale „Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar“, sipas nenit 353, si dhe „Punë e pandërgjegjshme në shërbim“, sipas nenit 353-v të Kodit Penal.
Sipas arsyetimit të kallëzimit, këshilltarët e AKI-së pretendojnë se, gjatë periudhës së kaluar, kanë dorëzuar në mënyrë të vazhdueshme kërkesa, pyetje, iniciativa dhe parashtresa zyrtare në adresë të Komunës, kryetarit të saj, kryesuesit të Këshillit dhe shërbimeve përkatëse komunale, por të njëjtat, sipas tyre, janë injoruar sistematikisht.
Në dokument thuhet se personat ndaj të cilëve është ngritur kallëzimi nuk kanë dhënë përgjigje brenda afateve ligjore dhe as nuk kanë ofruar sqarime për mosveprimin e tyre.
Këshilltarët e AKI-së theksojnë se, përpara dorëzimit të kallëzimit penal, më 22 tetor 2026, kanë dërguar edhe një paralajmërim të fundit me shkrim, duke kërkuar veprim urgjent dhe respektim të detyrimeve ligjore. Megjithatë, sipas tyre, edhe pas këtij paralajmërimi nuk ka pasur reagim.
Në kallëzim argumentohet se kjo mënyrë e veprimit cenon të drejtat e këshilltarëve të zgjedhur, pengon ushtrimin e mandatit të tyre dhe pamundëson kontrollin institucional, transparencën dhe mbikëqyrjen e ligjshmërisë së punës së Komunës.
Si dëshmi, në Prokurori është dorëzuar kopja e paralajmërimit të fundit me shkrim të datës 22 tetor 2026.
Tashmë mbetet në kompetencë të Prokurorisë Themelore Publike në Shkup të vlerësojë kallëzimin dhe pretendimet e paraqitura, si dhe të vendosë për hapat e mëtejshëm ligjorë.



