E hënë, 23 Nëntor 2026
Lajm i fundit
RAJONI

Ministria e Jashtme mohon përfshirjen e Shqipërisë në sulmin me dron ndaj anijes luftarake ruse: Akuzat, të pabazuara

Nga MacedoniaPress

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas disa raportimeve se sulmi me dron detar ndaj një anijeje luftarake ruse të klasit korvetë ka origjinën nga territori shqiptar.

Përmes një deklarate zyrtare, Ministria i ka cilësuar këto raportime si të pasakta, duke theksuar se Shqipëria nuk ka pasur asnjë përfshirje në incident dhe se territori shqiptar nuk është përdorur apo vënë në dispozicion për organizimin ose realizimin e sulmit.

Diplomacia shqiptare i ka hedhur poshtë kategorikisht akuzat, duke nënvizuar se ato janë bërë pa u mbështetur në prova të verifikueshme.

Në reagim, Ministria u bën thirrje autorëve të këtyre raportimeve që të korrigjojnë informacionin e publikuar dhe të tregojnë saktësi e përgjegjshmëri në trajtimin e çështjeve të një ndjeshmërie të tillë.

Reagimi i plotë:

Kemi marrë dijeni për raportimet sipas të cilave sulmi me dron detar ndaj një korvete ruse ka pasur si pikënisje territorin shqiptar.

Raportimet në fjalë janë të pasakta dhe nuk pasqyrojnë të vërtetën.

Shqipëria nuk ka pasur asnjë përfshirje në këtë incident dhe territori i saj nuk është përdorur dhe as nuk është vënë në dispozicion për nisjen apo lehtësimin e një sulmi të tillë.

Ne i hedhim poshtë kategorikisht këto akuza, të cilat janë paraqitur pa asnjë provë të verifikueshme. U bëjmë thirrje personave përgjegjës për përhapjen e tyre që të korrigjojnë informacionin e publikuar dhe të tregojnë saktësi, kujdesin e duhur dhe përgjegjshmëri gjatë raportimit për çështje të një ndjeshmërie të tillë.

/rtsh.al/

Lajme të ngjashme