Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut njoftoi sot se ka thirrur në ministri ambasadorin e Shqipërisë për t’i dorëzuar një demarsh verbal, pas qëndrimeve të tij lidhur me protestën e studentëve të zhvilluar të hënën në Shkup.
Megjithatë, burime diplomatike brenda ambasadës shqiptare për Macedoniapress hedhin poshtë versionin zyrtar të MPJ-së maqedonase, duke bërë të ditur se ambasadori shqiptar nuk ka qenë fare sot në Ministrinë e Jashtme dhe se aktualisht ndodhet jashtë Shkupit për angazhime të tjera zyrtare.
Sipas të njëjtave burime, nuk ekziston as ndonjë paralajmërim apo dakordim që ambasadori të paraqitet në MPJ për të pranuar një demarsh verbal.
“Ambasadori nuk ka qenë sot në Ministrinë e Jashtme dhe as nuk ka ndërmend të shkojë në rrethanat aktuale. Ai ndodhet jashtë Shkupit për angazhime të planifikuara më herët”, thonë burimet diplomatike për Macedoniapress.
Burimet shtojnë se qëndrimet e ambasadorit shqiptar kanë qenë të qarta, të vendosura dhe plotësisht në përputhje me normat diplomatike ndërkombëtare, duke nënvizuar se deklarimet e tij nuk kanë dalë jashtë kornizës së komunikimit diplomatik.
Reagimi i MPJ-së maqedonase vjen pas komenteve të ambasadorit lidhur me protestën studentore të së hënës në Shkup, e cila ka nxitur reagime të shumta politike dhe publike në vend.
Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga Ambasada e Shqipërisë lidhur me pretendimin e MPJ-së për dorëzimin e demarshit verbal.
