Në një aksion të përbashkët dhe të koordinuar nga Ministritë e Brendshme të Maqedonisë dhe Serbisë, Policia Kriminale, Shërbimi për Shtypjen e Krimit dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare (AСК), një person me inicialet S. M. (42) u arrestua në Shkup, i dyshuar për planifikim të kryerjes së krimeve të rënda.
Sipas informacioneve nga Ministria e Brendshme e Serbisë, i arrestuari është anëtar i një grupi të organizuar kriminal dhe ka hyrë ilegalisht në Maqedoni, dhe dyshimet janë se ai kishte për qëllim të kryente krime të rënda në emër të anëtarëve të grupit kriminal të cilit i përket, me shumë mundësi krimin e vrasjes.
Gjatë një kontrolli në vendin ku qëndronte S. M., policia gjeti një pistoletë “CZ” dhe municione të përshtatshme, një uniformë taktike të zezë, një thikë ushtarake, një sasi të vogël marihuane dhe kartë identiteti të dikujt tjetër të lëshuar nga Republika e Serbisë.
Ministria e Brendshme e Maqedonisë konfirmoi se aksioni u krye dje nën udhëheqjen e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen Penale të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK). Përveç S. M., janë ndaluar edhe dy persona të tjerë.
“U kryen bastisje në disa lokacione në Shkup, gjatë të cilave u gjetën drogë, para dhe telefona celularë. Tre persona janë privuar nga liria, dy prej të cilëve janë shtetas serb dhe një shtetas maqedonas”, tha Ministria e Brendshme e Maqedonisë.
Ministria e Brendshme tha se pas dokumentimit të rastit, do të dorëzohen parashtrime përkatëse.
