Një tjetër rast i paprecedentë dhe diskriminues është shënuar së fundmi gjatë një aktiviteti zyrtar të kryeministrit maqedonas.
Gjatë takimit të sotëm të kryeministrit Hristijan Mickoski, me rastin e inaugurimit të obeliskut të dedikuar personave pjesëmarrës në Luftën e Dytë Botërore, është vënë re se në ceremoni është mbajtur vetëm himni i vendit fqinj, ndërsa nuk është vendosi ai shqiptar, ashtu siç parashikohet nga praktikat dhe protokollet për ngjarje të kësaj natyre.
Po ashtu, në sy ka rënë fakti se fjala e kryeministrit Mickoski, e mbajtur në gjuhën maqedonase, nuk është përkthyer në gjuhën shqipe, duke kufizuar kështu aksesin e plotë të pjesëmarrësve shqipfolës në përmbajtjen e saj.
Mungesa e simbolikës shqiptare është vënë re edhe në aspektin vizual të organizimit. Përgjatë gjithë rrugës hyrëse në fshatin Kallamas, si dhe në pjesën më të madhe të dekorit të vendosur për ceremoninë, kanë munguar flamujt shqiptarë. E vetmja pikë ku janë parë flamuj shqiptarë, krahas dhjetëra flamujve maqedonas, ka qenë zona pranë obeliskut kushtuar pjesëmarrësve në Luftën e Dytë Botërore, ku ndodheshin vetëm dy flamuj shqiptarë.
Në të njëjtën kohë, nga zyra e shtypit të kryeministrit maqedonas u është komunikuar gazetarëve shqiptarë se kryeministri nuk ka qenë i disponueshëm për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre.
Gjithashtu, ka tërhequr vëmendjen mungesa e fjalës nga kryetari i komunës së Pustecit, Pali Kolefski, i cili ishte i pranishëm në aktivitet. Ndërkohë, sipas protokollit të ndjekur nga organizatorët, një hapësirë e tillë i është lejuar më herët ish-kryetarit të komunës së Pustecit, Edmond Themelko.
