Hantavirusi/ Çfarë është dhe si transmetohet? Ekspertët: Nuk jemi përballë rrezikut për një pandemi të radhës, por…

Shpërthimi i fundit i hantavirusit në anijen turistike holandeze MV Hondius ka rikthyer shqetësimin ndërkombëtar, pasi incidenti lidhet me virusin e Andeve, i vetmi lloj i njohur i hantavirusit që, në raste tepër të rralla, mund të transmetohet nga njeriu te njeriu.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se nuk ekziston rreziku i një pandemie të re. Profesori asistent i Higjienës dhe Epidemiologjisë në Universitetin Kombëtar të Athinës, Gikas Majorkinis, deklaron se transmetimi ndërmjet njerëzve është jashtëzakonisht i kufizuar dhe kërkon kontakt shumë të afërt dhe të zgjatur.

“Ne nuk jemi përballë rrezikut të një pandemie hantavirusi”, tha ai, duke shtuar se nuk ka asnjë tregues që virusi po bëhet më i transmetueshëm jashtë mjedisit specifik ku u regjistruan rastet.

Edhe Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerësojnë se rreziku për publikun mbetet i ulët. Sipas ekspertëve, hantaviruset njihen prej mijëra vitesh dhe zakonisht transmetohen përmes brejtësve të infektuar.

Në Amerikën e Jugut qarkullojnë të ashtuquajturit “viruse të Botës së Re”, si virusi i Andeve, të cilët shoqërohen me forma më të rënda respiratore dhe me shkallë më të lartë vdekshmërie. Në Evropë, ndërkohë, format e hantavirusit janë më të lehta dhe nuk është dokumentuar transmetim nga njeriu te njeriu.

“Hantaviruset që gjenden në Evropë kanë një tablo klinike më të butë krahasuar me ato të Amerikës Latine dhe nuk transmetohen ndërmjet njerëzve”, theksoi Majorkinis.

Infeksioni zakonisht shfaqet nga një deri në tetë javë pas ekspozimit, ndërsa simptomat e para përfshijnë ethe, lodhje të fortë dhe dhimbje muskulore. Në raste më të rënda mund të preken veshkat ose sistemi kardiopulmonar, veçanërisht te variantet që qarkullojnë në Amerikë.

Ekspertët vlerësojnë se shkalla e vdekshmërisë për variantet e Amerikës Latine mund të arrijë deri në 30%, ndërsa për variantet evropiane mbetet dukshëm më e ulët. Aktualisht nuk ekziston vaksinë apo trajtim specifik për hantavirusin dhe trajtimi mbetet kryesisht mbështetës.

Transmetimi ndodh kryesisht përmes kontaktit me urinën, jashtëqitjet ose lëngje të tjera biologjike të brejtësve të infektuar. Infektimi mund të ndodhë edhe nga thithja e grimcave të kontaminuara në ajër, sidomos në ambiente të mbyllura ku ka prani brejtësish.

Autoritetet shëndetësore theksojnë se nuk ka arsye për panik, por rekomandojnë respektimin e masave bazë të higjienës dhe shmangien e kontaktit me brejtësit apo zonat e kontaminuara.