Është shtyrë vendimi përfundimtar në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë dhe pritet të shpallet më 20 korrik 2026.
Konfirmimi për shtyrjen e vendimit është bërë për RTK nga avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Luka Mishetiq, i cili ka deklaruar se informacioni i raportuar në media është i saktë.
“Mund ta konfirmoj se kjo është e saktë”, është shprehur Mishetiq.
Fillimisht, shpallja e aktgjykimit ishte parashikuar për më 19 maj, brenda afateve procedurale. Megjithatë, sipas rregullave të Dhomave të Specializuara, trupi gjykues ka deri në 90 ditë për marrjen e vendimit, me mundësi shtyrjeje deri në 60 ditë shtesë.
Që nga nëntori i vitit 2020, katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ndodhen në paraburgim në Hagë, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Procesi gjyqësor ka nisur në prill 2023, ndërsa të akuzuarit kanë mohuar akuzat dhe mbrojtja ka kërkuar pafajësinë e tyre.
