Kuvendi i Maqedonisë së Veriut e shfuqizoi Qeverinë Teknike

Shumica e dërgoi qeverinë teknike në histori. Shtatëdhjetë deputetë votuan “PËR”, njëmbëdhjetë “KUNDËR”. Seanca zgjati disa orë, kaloi me vërejtje të shumta procedurale dhe disa pauza. Grindjet midis qeverisë dhe opozitës arritën kulmin.

“Ju duhet të arrini qëllimin tuaj përfundimtar, që është të mos merrni pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, tha Goran Minçev, Ministër i Administratës Publike.

“Më së paku keni të drejtë të flisni për LSDM-në, sepse keni mbaruar me LSDM-në”, u përgjigj Jovana Trençevska, deputete nga LSDM-ja.

Frontit Evropian që udhëhiqet nga BDI-ja u largua nga seanca, pasi më parë kërkoi që çështja e ndryshimeve në Ligjin për Qeverinë të shqyrtohet nga Komiteti për Marrëdhëniet midis Komuniteteve, me vlerësimin se shfuqizimi i qeverisë së Përzhinos ndikon ndjeshëm në marrëdhëniet ndëretnike.

“Ky veprim është pjesë e kozistencës tonë politike, ne si dje edhe sot jemi KUNDËR heqjes së Qeverisë teknike dhe këto qëndrime i përsëritëm edhe në Kuvend, për dallim nga subjektet e tjera të cilat ndryshojnë qëndrimet varësisht nga situatat dhe pozicionet, ndryshe në takimin e liderëve dhe ndryshe gjatë diskutimit në Kuvend”, deklaruan nga Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës, të cilët nuk e votuan heqjen e Qeverisë teknike.

Ndryshe, Kuvendi në seancën e 22 prillit ka miratuar nevojën për procedurë të shkurtuar të Propozim-ligjit për ndryshimin e Ligjit për Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, me ç’rast zgjidhja ligjore kaloi fazën e parë të procedurës parlamentare. Me këtë zgjidhje ligjore krijohen kushte për eliminimin e arsyeve objektive për të cilat ishte vendosur modeli i qeverisë kalimtare, përkatësisht teknike. BDI deklaroi sot se nuk do ta mbështesë këtë ligj duke thënë se diçka që është arritur me marrëveshje politike, duhet të zhbëhet në të njëjtën formë.

Amendamentet në Ligjin për Qeverinë që parashikojnë qeverinë teknike janë një zgjidhje nga Marrëveshja e Përzhinos në vitin 2015, e cila ishte e vlefshme vetëm për zgjedhjet e vitit 2016, pra ato që u organizuan pas krizës politike. Ajo parashikon formimin e një qeverie teknike 100 ditë para zgjedhjeve, në të cilën kuadrot e opozitës hyjnë në ministri të caktuara me qëllim sigurimin e zgjedhjeve të drejta dhe demokratike.

Zgjidhja e propozuar ligjore, me zbatim të shtyrë, sipas arsyetimit të Qeverisë, ka për qëllim të sigurojë stabilitet, siguri juridike dhe mbrojtje të interesit publik të qytetarëve përmes përmbylljes së plotë dhe të qëndrueshme të reformave të nisura.

Gjithashtu thuhet se, për shkak të nevojës për përdorim racional dhe të përgjegjshëm të financave publike, forcim të stabilitetit institucional dhe sigurim të legjitimitetit të plotë demokratik të Qeverisë si bartëse e pushtetit ekzekutiv të zgjedhur nga Kuvendi, me këtë ligj vendoset një kornizë e qartë ligjore që garanton zgjedhje të lira dhe transparente përmes institucioneve kushtetuese dhe ligjore, si dhe eliminon zgjidhjet e përkohshme të krijuara me marrëveshje politike në të kaluarën.