Shqipëria firmos marrëveshjen 6 miliardë USD me SHBA për gazin e lëngshëm, Rama: Vlora kthehet në pikë kritike për energjinë

Shqipëria është bërë pjesë e një projekti në fushën e energjisë në bashkëpunim me SHBA dhe Greqinë. Marrëveshja u nënshkrua të mërkurën mes palës shqiptare dhe kompanive Venture Global dhe Aktor LNG për furnizim me gaz natyror të lëngshëm (LNG) për një periudhë 20-vjeçare.

E pranishme këtë ceremoninë e nënshkrimit ishte edhe ambasadorja amerikane në Athinë Kimberly Guilfoyle, e cila theksoi se ky bashkëpunim tre palësh do të forcojë sigurinë energjitike dhe kombëtare. Ajo e vlerësoi Shqipërinë si një partner të palëkundur të SHBA-ve dhe një faktor kyç ndërlidhës në Ballkanin Perëndimor.

“Çfarë nder që gjejmë këtu në Shqipëri, një partner i palëkundur i SHBA dhe vend me rëndësi të jashtëzakonshme strategjike për Ballkanin dhe Evropën krah mikut tonë Edi Rama. Ka dy marrëveshje të rëndësishme që po nënshkruhen sot, marrëveshja për gazin e lëngshëm natyror që tregon se Shqipëria po luan një rol në rritje si një ndërlidhës në Ballkanin Perëndimor.

Forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe ndihma për të formësuar një të ardhme më të sigurt për Evropën Juglindore. Ky ndërveprim forcon sigurinë energjitike dhe kombëtare. Memorandumi i mirëkuptimit për vënien në veprimtari të një qendre thelbësore energjitike, përfshirë një impiant gaz, dëshmon rëndësinë që qeveria shqiptare i kushton energjisë së qëndrueshme në të mirë të qytetarëve”, tha ajo.

Diplomatja theksoi gjithashtu se siguria energjitike ka qenë një prioritet i vazhdueshëm për Presidentin Donald Trump, duke e lidhur këtë marrëveshje me një strategji për forcimin e aleatëve përmes energjisë.

“Presidenti Trump ka qenë kambion i zjarrtë i sigurisë energjitike. Vizioni dhe veprimet e tij kanë përforcuar faktin se ofrimi i një energjie të qëndrueshme forcojnë SHBA dhe aleatët tanë strategjikë. Administrata Trump e ka ngritur bashkëpunimin energjitik si shtyllë në mbarë botën. Dhe nënshkrimi i sotëm është një manifestim i prekshëm i kësaj përpjekjeje.”, shtoi ajo.

Nënvizoi gjithashtu se Shqipëria dhe Greqia nuk janë vetëm fqinjë, por partnerë me interesa të përbashkëta në siguri, ekonomi dhe energji.

“Dua të theksoj rëndësinë e lidhjeve të forta Shqipëri-Greqi. Shqipëria janë më shumë sesa fqinjë, ata ndajnë interesa të sigurisë, lidhje njerëzore dhe një bashkëpunim në rritje ekonomik. Kur punojmë së bashku, qoftë në tregti, dialog rajonal dhe energji, i gjithë rajoni përfiton. SHBA mbështesin Ballkanin që është më i ndërlidhur, më i sigurtë energjitikisht dhe më i begatë dhe Shqipëria është thelbësore për këtë vizion.”, tha ajo.

Ambasadorja amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle, ka njoftuar arritjen e një marrëveshjeje të rëndësishme energjetike gjatë vizitës së saj në Tiranë, ku u takua edhe me kryeministrin Edi Rama.