Fronti Evropian me nismë për ndryshimet kushtetuese, VLEN: Parodi e radhës

Deputetët e Frontit Evropian opozitar kanë njoftuar fillimin e procedurës për sigurimin e nënshkrimeve të nevojshme parlamentare për inicimin e ndryshimeve kushtetuese, si një hap i domosdoshëm dhe i përgjegjshëm institucional për avancimin e procesit të integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Për VLEN-in në pushtet, kjo paraqet një parodi të radhës nga BDI.

Deputeti Blerim Bexheti tha se kjo iniciativë mbështetet në mundësinë kushtetuese të paraparë në nenin 130 të Kushtetutës, sipas të cilit propozimi për ndryshimin e Kushtetutës mund të paraqitet nga së paku 30 deputetë.

“Prandaj, duke filluar nga sot, u bëjmë thirrje të gjithë deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, si të shumicës parlamentare, ashtu edhe të opozitës, përfshirë deputetët e Aleancës për Shqiptarët, deputetët e pavarur, si dhe përfaqësuesit e të gjitha partive politike që e shohin të ardhmen e vendit në Bashkimi Evropian, e sidomos deputetët e VLEN-it, që të japin mbështetjen e tyre duke nënshkruar këtë iniciativë”, tha Bexheti.

Ai tha se duke filluar nga sot, çdo deputet ka mundësinë të përcaktohet qartë: për zhbllokimin e procesit apo për vazhdimin e bllokadës; për rrugën evropiane apo për izolim; për të ardhmen e vendit apo për kalkulime të ngushta partiake.

Nga ana tjetër, nga VLEN e konsiderojnë si joserioze dhe vetësabotuese nismën e sotme të BDI-së, siç thonë, më shumë i ngjan një parodie satirike sesa diçka që ia vlen të trajtohet seriozisht.

“BDI ofendon rëndë BE-në dhe shqiptarët kur Blerim Bexheti flet për vlera europiane. E rikujtojmë për opinionin se Blerim Bexheti, si funksionar i përjetshëm i BDI-së, është sinonim i politikës kundër çdo vlere europiane. Prandaj, konsiderojmë se BDI-ja tallet me opinionin kur bën sikur shqetësohet për eurointegrimet, ndërsa zgjedh Blerim Bexhetin si personazh të agjendës së saj “europiane”. VLEN nuk e ka ndërmend të bëhet pjesë e kësaj parodie. Integrimi europian kërkon qasje serioze dhe të sinqertë. Qeveria është e fokusuar në Agjendën Reformuese, e cila po zbatohet me shumë sukses dhe mirënjohje nga Brukseli”, thonë nga VLEN.

Kujtojmë se së fundmi, raportuesi për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, Thomas Waitz, në një intervistë për Euronews Bullgari deklaroi se nuk sheh as përparim as reforma në Maqedoninë e Veriut dhe se vendi rrezikon humbjen e 47 milionë eurove.