MAAA mbështet lançimin e Komunitetit të Alumni-ve SHBA–Bullgari: mbi 70 pjesëmarrës nga rajoni

Asociacioni MAAA ka mbështetur lançimin e Komunitetit të Alumni-ve SHBA–Bullgari, një iniciativë që synon të forcojë bashkëpunimin rajonal dhe lidhjet ndërmjet ish-pjesëmarrësve të programeve amerikane të shkëmbimit.

Në aktivitetin e zhvilluar këtë javë morën pjesë mbi 70 alumni nga programe të ndryshme të qeverisë amerikane, përfshirë Fulbright, Programin Ndërkombëtar të Lidershipit për Vizitorët (IVLP) dhe programin Kennedy-Lugar për Shkëmbim dhe Studimin Rinor (YES). Pjesëmarrësit vijnë nga fusha të ndryshme si akademia, media, biznesi, siguria, shoqëria civile dhe institucionet shtetërore.

“Asociacioni MAAA, së bashku me partnerët, po ndërton ura bashkëpunimi që forcojnë partneritetin mes vendeve tona,” thuhet në reagimin e organizatës.

Sipas tyre, programet e shkëmbimit luajnë një rol kyç në krijimin e lidhjeve të qëndrueshme dhe në fuqizimin e brezave të rinj që ndikojnë në zhvillimet shoqërore dhe politike.

“Jemi krenarë që mbështesim këtë iniciativë, e cila bashkon liderë të rinj dhe profesionistë që po formësojnë të ardhmen e Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut,” thekson MAAA.

Delegacioni i Asociacionit MAAA në këtë aktivitet u përfaqësua nga PhD Berat Dehari, i cili ishte pjesë e takimeve dhe diskutimeve me alumni nga rajoni.

Krijimi i këtij komuniteti konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit rajonal dhe ndërtimit të rrjeteve profesionale me ndikim afatgjatë.