Publikohet lista e apartamenteve të famëkeqit Epstein në Londër, strehonte ‘viktimat’ e abuzimit seksual, hetimi i BBC zbuloi se…

Një hetim i BBC ka zbuluar se famëkeqi Jeffrey Epstein ka strehuar disa gra të reja në disa apartamente në Londër, të cilat ishin viktima të abuzimit të tij seksual.
Sipas dokumenteve të shqyrtuara, të paktën katër apartamente në zonat luksoze Kensington dhe Chelsea u përdorën për të strehuar gra, gjashtë prej të cilave më vonë dolën publikisht si viktima të abuzimit. Shumë prej tyre vinin nga Rusia, Europa Lindore dhe vende të tjera, dhe u sollën në Mbretërinë e Bashkuar edhe pas akuzave për trafikim të ngritura nga Virginia Giuffre.

Disa nga gratë jo vetëm që u abuzuan, por edhe u detyruan të rekrutonin të tjera për rrjetin e tij, ndërsa udhëtonin shpesh mes Londrës dhe Parisit me Eurostar. Dokumentet tregojnë se Epstein financonte jetesën e tyre, përfshirë qiranë, studimet dhe shpenzimet e përditshme, duke i mbajtur në varësi.

Hetimi nxjerr në pah se aktiviteti i tij në Mbretërinë e Bashkuar ishte më i gjerë nga sa mendohej më parë, me një rrjet të organizuar që përfshinte strehim, transport dhe mbështetje financiare për viktimat, të maskuara si ndihmë.

Megjithatë, pavarësisht ankesave dhe indicieve të shumta, autoritetet britanike nuk hapën një hetim të plotë. Tessa Gregory e cilësoi këtë si “të habitshme”, duke theksuar se shteti ka detyrim ligjor të hetojë rastet e dyshuara të trafikimit.

Dokumentet tregojnë gjithashtu se autoritetet britanike kishin informacion për aktivitetet e Epstein dhe ia kishin përcjellë atë SHBA-së, ndërsa hetime të reja në Francë po shqyrtojnë akuza për trafikim dhe pastrim parash.

Rasti ngre pikëpyetje serioze mbi dështimet institucionale dhe mungesën e veprimit në kohë, ndërsa mbetet e paqartë se kush tjetër ishte i përfshirë dhe nëse aktivitete të ngjashme mund të kenë vazhduar.