“Qeveria me ‘karrige bosh’: Dy ministra të VLEN mungojnë prej muajsh”. Mickovski i kënaqur!

Tensionet e brendshme në koalicionin VLEN po reflektohen drejtpërdrejt në funksionimin e qeverisë, ku dy ministra shqiptarë tashmë prej muajsh nuk po ushtrojnë detyrat e tyre institucionale, raportot macedoniapress.

Arben Fetai, i cili mban postin e zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë, dhe Fatmir Limani, ministër i Punës dhe Politikës Sociale, raportohet se nuk janë aktivë në punën e përditshme qeveritare, si pasojë e mospajtimeve të thella brenda koalicionit.

Ndërkohë, nga pesë ministrat që VLEN ka në qeveri, vetëm tre prej tyre vazhdojnë të ushtrojnë funksionet në mënyrë të rregullt – ministri i Shëndetësisë, ai i Mjedisit dhe ministri për Integrime Evropiane.

Kjo situatë ka ngritur pikëpyetje serioze mbi stabilitetin e përfaqësimit shqiptar në ekzekutiv, si dhe mbi funksionalitetin e vetë qeverisë. Mungesa e dy figurave kyçe në vendimmarrje rrezikon të paralizojë sektorë të rëndësishëm dhe të thellojë krizën politike brenda koalicionit.

Zhvillimet e fundit pritet të ndikojnë jo vetëm në raportet brenda VLEN-it, por edhe në balancat e përgjithshme politike në vend, në një kohë kur kërkohet stabilitet dhe efikasitet institucional.