AARC në Departamentin e Shtetit: Diskutohen zhvillimet në Maqedoninë e Veriut
Uashington – Udhëheqja e Këshillit Shqiptaro-Amerikan për Marrëdhënie (Albanian American Relations Council – AARC) është takuar me zyrtarin e Departamentit të Shtetit të SHBA-së, David M. Maher, përgjegjës për çështjet që lidhen me Maqedoninë e Veriut, për të diskutuar zhvillimet e fundit në vend.
Në qendër të bisedës ishin protestat e fundit të studentëve të drejtësisë, si dhe çështja më e gjerë e të drejtave gjuhësore në kuadër të Marrëveshjes së Ohrit.
AARC theksoi se, ndërsa debati publik shpeshherë zhytet në diskutime teknike dhe semantike – si dispozitat e ligjit të gjuhëve, opinionet e Komisionit të Venecias, mekanizmi i Balancuesit në kuadër të Ohrit, çështjet e zbatimit dhe propozimet për ndryshime legjislative – thelbi i problemit po lihet anash.
“Në thelbin e saj, Marrëveshja e Ohrit përfaqëson një pajtim historik mes dy popujve që morën vendimin e vetëdijshëm për të ecur përpara së bashku, duke ndërtuar një shtet kohezioni si bashkëthemelues të barabartë,” theksuan përfaqësuesit e AARC-së.
Sipas Këshillit, pyetja themelore që shtrohet sot është nëse ajo frymë pajtimi ende qëndron: A janë shqiptarët bashkëthemelues të barabartë në vendin e tyre, apo thjesht një popull që duhet toleruar?
Mënyra se si i përgjigjemi kësaj pyetjeje do të përcaktojë trajektoren e ardhshme të vendit. Pjesa tjetër – sipas AARC-së – mbetet çështje semantike.
AARC në Departamentin e Shtetit: Në fokus barazia e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut
