PROPOZUES: Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut
PËRFAQËSUES:
I BESUAR:
PROPOZIM-LIGJ PËR PËRFAQËSIM TË DREJTË DHE ADEKUAT
Shkup, prill 2026
HYRJE
I. VLERËSIMI I GJENDJES NË FUSHËN QË DUHET TË RREGULLOHET
ME LIGJ DHE ARSYET PËR MIRATIMIN E LIGJIT
Parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të qytetarëve që u përkasin të gjitha bashkësive në
organet e pushtetit shtetëror dhe në institucionet e tjera publike në të gjitha nivelet është një vlerë
themelore e rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe një nga çështjet kyçe
për funksionimin demokratik të shtetit.
Pavarësisht vendosjes së këtij parimi në nivel kushtetues si rezultat i zbatimit të Marrëveshjes
Kornizë të Ohrit dhe aplikimit të tij përmes politikave dhe praktikave të ndryshme
administrative, mund të konstatohet se gjatë periudhës së kaluar gjendja e përfaqësimit të drejtë
dhe adekuat të bashkësive në vend është karakterizuar nga mungesa e sistematizimit të duhur dhe
nga mos-harmonizimi i kësaj politike me standardet ndërkombëtare.
Zbatimi i parimit të përfaqësimit të përshtatshëm dhe të drejtë në masë të madhe është realizuar
përmes zgjidhjeve të ndryshme ligjore, akteve nënligjore, procedurave të brendshme dhe
zgjidhjeve ad hoc, gjë që ka sjellë zbatim të pabarabartë, keqpërdorim politik, pasiguri juridike
dhe transparencë të kufizuar.
Për më tepër, në praktikë janë shfaqur sfida lidhur me balancimin ndërmjet sigurimit të
përfaqësimit dhe respektimit të parimit të meritës, profesionalizmit dhe kompetencës në
administratën publike, për çka Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për shfuqizimin e të
ashtuquajturit “balancues” në vend. Në disa raste, rregullimi i pamjaftueshëm i saktë i kësaj
çështjeje ka krijuar perceptimin e aplikimit të qasjeve kuantitative pa vëmendje të mjaftueshme
ndaj aspekteve cilësore, gjë që ka ndikuar në efikasitetin dhe profesionalizmin e organeve të
pushtetit shtetëror dhe të institucioneve të tjera publike në të gjitha nivelet.
Gjithashtu, mungesa e mekanizmave të qartë të përcaktuar për monitorim, analizë dhe
llogaridhënie në zbatimin e këtij parimi ka sjellë kufizim të mundësisë për vlerësim objektiv të
shkallës së përfaqësimit të pjesëtarëve të bashkësive në vend dhe të efektivitetit të masave të
ndërmarra. Mungesa e koordinimit të centralizuar dhe e një metodologjie të unifikuar për
planifikimin e punësimeve e ka komplikuar më tej zbatimin e këtij parimi.
Në kontekstin e integrimeve evropiane dhe detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi i shtetit në
Këshillin e Evropës, është shfaqur nevoja për harmonizimin e kornizës së brendshme ligjore me
standardet ndërkombëtare në fushën e barazisë, mosdiskriminimit dhe administratës publike.
Rekomandimet e Komisionit të Venecias theksojnë se masat për sigurimin e përfaqësimit të
përshtatshëm dhe të drejtë duhet të jenë qartësisht të përcaktuara, proporcionale dhe të mos
cenojnë parimin e kompetencës, gjë që më tej e thekson nevojën për rregullim ligjor të kësaj
çështjeje.
Duke marrë parasysh gjendjen e përshkruar, miratimi i këtij ligji paraqitet si i domosdoshëm me
qëllim që të: vendoset një kornizë e qartë dhe e saktë ligjore,
sigurohet zbatimi i njëtrajtshëm i parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në vend,
forcohet transparenca dhe llogaridhënia në procedurat e punësimit dhe avancimit,
sigurohet balancë ndërmjet përfaqësimit dhe sistemit të meritës, dhe
rritet besimi i qytetarëve në institucione.
Me miratimin e këtij ligji pritet tejkalimi i dobësive ekzistuese dhe krijimi i një sistemi të
qëndrueshëm dhe të parashikueshëm që do të mundësojë realizimin efektiv të të drejtave të të
gjitha bashkësive, duke ruajtur njëkohësisht profesionalizmin dhe efikasitetin e administratës
publike.
II. QËLLIMET, PARIMET DHE ZGJIDHJET THEMELORE TË PROPOZIM-LIGJIT
Qëllimi kryesor i Propozim-ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat është të sigurojë një
kornizë të qartë, të saktë dhe të zbatueshme juridike për realizimin e një prej parimeve themelore
të rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut – përfaqësimin adekuat dhe të drejtë
të qytetarëve që u përkasin të gjitha bashkësive në organet e pushtetit shtetëror dhe në
institucionet e tjera publike.
Propozim-ligji synon të sigurojë zbatimin e qëndrueshëm të këtij parimi përmes vendosjes së
rregullave dhe mekanizmave të qarta, të cilat do të mundësojnë qasje të barabartë në punësim
dhe avancim, si dhe procedura të drejta dhe transparente në sektorin publik.
Njëkohësisht, synohet të arrihet një balancë e përshtatshme midis nevojës për përfaqësim të
pjesëtarëve të të gjitha bashkësive në vend, nga njëra anë, dhe domosdoshmërisë për të siguruar
një administratë profesionale, efikase dhe politikisht neutrale, nga ana tjetër.
Në këtë drejtim, ligji bazohet në disa parime kyçe.
Së pari, parimi i mosdiskriminimit dhe mundësive të barabarta, me të cilin garantohet se të gjithë
qytetarët kanë qasje të barabartë në të gjitha funksionet publike në vend.
Së dyti, parimi i meritës, profesionalizmit, kompetencës dhe integritetit, i cili siguron që cilësia e
administratës publike të mbetet kriteri primar gjatë punësimit dhe avancimit në vendin e punës.
Së treti, parimi i transparencës dhe llogaridhënies, i cili nënkupton procedura të qarta dhe të
kontrolluara.
Së katërti, parimi i gjithëpërfshirjes dhe kohezionit social, i cili synon forcimin e besimit
ndërmjet bashkësive.
Dhe së fundi, parimi i proporcionalitetit, me të cilin sigurohet që masat për përfaqësim të jenë të
përshtatshme dhe të mos çojnë në cenimin e efikasitetit të institucioneve.
Si një nga zgjidhjet kryesore, ligji vendos një dallim të qartë ndërmjet termave “përfaqësim
adekuat” dhe “përfaqësim i drejtë”.Përfaqësimi adekuat i referohet aspektit sasior dhe nënkupton përfaqësim që përafërsisht
pasqyron pjesëmarrjen e bashkësive në popullatë, në bazë të të dhënave nga regjistrimi i fundit i
popullsisë.
Nga ana tjetër, përfaqësimi i drejtë thekson aspektin cilësor, përkatësisht sigurimin e trajtimit të
drejtë dhe mundësive të barabarta, me respektimin e rregullave të profesionalizmit dhe
integritetit.
Veçanërisht e rëndësishme është që ligji përcakton parimin e sistemit të meritës si dominues. Në
këtë kuptim, parashikohet që kualifikimet, ekspertiza dhe aftësitë profesionale përbëjnë kriterin
primar, ndërsa përkatësia në një bashkësi të caktuar mund të merret parasysh vetëm si faktor
sekondar, dhe atë vetëm në rastet kur kandidatët kanë kualifikime të barabarta. Me këtë sigurohet
harmonizimi me standardet bashkëkohore evropiane dhe rekomandimet e Komisionit të
Venecias.
Ligji gjithashtu parashikon që masat për sigurimin e përfaqësimit adekuat dhe të drejtë duhet të
jenë proporcionale, të përshtatshme dhe të justifikuara në kohë, duke theksuar shprehimisht se
ato nuk duhet të çojnë në zbatim automatik të kritereve etnike apo në vendosjen e kuotave rigide
gjatë punësimit. Në këtë mënyrë parandalohet cenimi i parimit të barazisë dhe sigurohet një qasje
fleksibile në varësi të rrethanave konkrete.
Si pjesë e zgjidhjeve themelore, ligji rregullon edhe të drejtën për deklarim të lirë të përkatësisë,
duke garantuar vullnetaritetin në deklarimin e përkatësisë etnike, si dhe të drejtën e qytetarëve
për të mos e deklaruar atë. Njëkohësisht, parashikohen mekanizma për parandalimin e
abuzimeve të mundshme, me qëllim sigurimin e integritetit të procedurave dhe sigurisë juridike.
Më tej, vendoset një kornizë institucionale përmes formimit të një Trupi Koordinues, i cili do të
ketë kompetenca për monitorimin, analizën dhe avancimin e politikave në këtë fushë. Kjo
siguron një qasje sistematike dhe koordinim ndërmjet institucioneve.
Propozim-ligji parashikon gjithashtu obligimin për monitorim të rregullt të gjendjeve dhe
përgatitjen e raporteve, si dhe vendosjen e një metodologjie për planifikimin e punësimeve në
sektorin publik. Këto mekanizma mundësojnë krijimin e politikave të bazuara në të dhëna dhe
sigurojnë transparencë dhe llogaridhënie në zbatimin e ligjit.
Me këto zgjidhje, Propozim-ligji krijon një kornizë gjithëpërfshirëse dhe të balancuar që
mundëson realizimin efektiv të përfaqësimit adekuat dhe të drejtë, duke ruajtur njëkohësisht
parimet themelore të sundimit të së drejtës, barazisë dhe profesionalizmit të administratës
publike në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Gjatë procesit të hartimit të këtij Propozim-ligji për përfaqësim adekuat dhe të drejtë janë marrë
parasysh vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut të datës
28.02.2024 dhe 09.10.2024, si dhe gjetjet dhe rekomandimet e përfshira në Opinionin CDL-
AD(2025)046 të Komisionit të Venecias.Ky propozim-ligj inkorporon vërejtjet dhe rekomandimet kryesore të Komisionit të Venecias në
pjesën që lidhet me vendosjen e balancës midis avancimit të përfaqësimit adekuat dhe të drejtë
dhe ruajtjes së parimeve të sundimit të së drejtës, barazisë dhe profesionalizmit të administratës
publike.
Propozim-ligji është në përputhje me rekomandimin e Komisionit të Venecias se sistemi i
meritës duhet të përbëjë themelin e çdo sistemi të punësimit në sektorin publik.
Në disa dispozita të propozim-ligjit përcaktohet qartë se kualifikimet, ekspertiza dhe aftësitë
profesionale përbëjnë kriterin primar gjatë punësimit dhe avancimit në vendin e punës, ndërsa
përkatësia në një bashkësi të caktuar mund të merret parasysh vetëm si faktor shtesë dhe vetëm
në rastet e kualifikimeve të barabarta. Me këtë sigurohet që masat e përfaqësimit të mos cenojnë
cilësinë dhe efikasitetin e administratës publike, në përputhje të plotë me qëndrimet e Komisionit
të Venecias.
Më tej, ligji ndjek rekomandimin që masat për rritjen e përfaqësimit duhet të jenë të dizajnuara
me kujdes, proporcionale dhe të justifikuara në kohë. Duke përcaktuar shprehimisht se këto masa
duhet të jenë të përshtatshme dhe të orientuara drejt eliminimit të pabarazive faktike, sigurohet
përputhja e tyre me parimin e proporcionalitetit.
Për më tepër, ligji parashikon qartë se këto masa nuk duhet të çojnë në zbatim automatik të
kritereve etnike, as në vendosjen e kuotave rigide, duke zbatuar drejtpërdrejt një nga
rekomandimet kryesore të Komisionit të Venecias.
Ligji gjithashtu inkorporon rekomandimin e Komisionit të Venecias lidhur me respektimin e së
drejtës për vetëidentifikim të lirë. Duke garantuar vullnetaritetin e deklarimit dhe të drejtën për
mosdeklarim pa pasoja, sigurohet mbrojtja e të drejtave dhe lirive individuale të qytetarëve, që
është një element thelbësor i standardeve evropiane për të drejtat e njeriut.
Përveç kësaj, zgjidhjet e propozuara janë në përputhje me rekomandimet për vendosjen e
mekanizmave efektivë institucionalë për monitorim dhe vlerësim të gjendjeve. Formimi i një
trupi koordinues, vendosja e raportimit të rregullt dhe obligimi për mbledhjen dhe analizën e të
dhënave relevante mundësojnë transparencë, llogaridhënie dhe përmirësim të vazhdueshëm të
politikave në këtë fushë. Në këtë mënyrë sigurohet një qasje sistematike, në përputhje me
parimet e qeverisjes së mirë të theksuara nga Komisioni i Venecias.
Për më tepër, ligji ndjek rekomandimin që politikat për përfaqësim duhet të bazohen në të dhëna
objektive dhe të verifikueshme. Përmes parashikimit të metodologjisë për planifikimin e
punësimeve dhe përdorimit të të dhënave nga regjistrimi i popullsisë dhe evidencat
institucionale, sigurohet krijimi i politikave të bazuara në fakte, gjë që kontribuon në efektivitetin
dhe zbatimin e drejtë të tyre.
Duke marrë parasysh të gjitha aspektet e përmendura, mund të konstatohet se Propozim-ligji
vendos një kornizë të balancuar juridike që në thelb implementon rekomandimet kryesore të
përfshira në Opinionin CDL-AD(2025)046 të Komisionit të Venecias. Me këtë, dispozitat e
propozuara sigurojnë përputhje me standardet evropiane në fushën e barazisë, mosdiskriminimitdhe administratës publike, të përshtatura me kontekstin kushtetues dhe institucional të
Republikës së Maqedonisë së Veriut.
III. VLERËSIMI I PASOJAVE FINANCIARE TË PROPOZIM-LIGJIT MBI
BUXHETIN DHE MJETET E TJERA FINANCIARE PUBLIKE
Propozim-ligji për përfaqësim adekuat dhe të drejtë do të ketë implikime fiskale në Buxhetin e
Republikës së Maqedonisë së Veriut.
IV. ZGJIDHJET THEMELORE TË LIGJIT
Propozim-ligji përmban një sërë zgjidhjesh sistemike që kanë për qëllim të sigurojnë një kornizë
të balancuar dhe të drejtë për përfaqësimin adekuat dhe të drejtë të qytetarëve që u përkasin të
gjitha bashkësive në organet e pushtetit shtetëror dhe në institucionet e tjera publike në të gjitha
nivelet.
Së pari, vendoset një dallim i qartë ndërmjet termave “përfaqësim adekuat” dhe “përfaqësim i
drejtë”. Përfaqësimi adekuat i referohet aspektit sasior, përkatësisht nevojës që përfaqësimi i
bashkësive në sektorin publik përafërsisht të pasqyrojë përfaqësimin e tyre në popullatë, në
përputhje me të dhënat nga regjistrimi i fundit i popullsisë. Nga ana tjetër, përfaqësimi i drejtë
thekson aspektin cilësor, përkatësisht sigurimin e trajtimit të drejtë dhe mundësive të barabarta,
duke respektuar parimet e kompetencës dhe integritetit.
Propozim-ligji e thekson veçanërisht rolin e sistemit të meritës. Në disa dispozita përcaktohet se
kualifikimet, ekspertiza dhe aftësitë profesionale përbëjnë kriterin primar gjatë punësimit dhe
avancimit, ndërsa përkatësia në një bashkësi të caktuar mund të merret parasysh vetëm si faktor
shtesë, sekondar dhe vetëm në rastet kur kandidatët kanë kualifikime të barabarta.
Në drejtim të parandalimit të keqpërdorimeve, propozim-ligji parashikon që masat për sigurimin
e përfaqësimit duhet të jenë proporcionale, të përshtatshme dhe të justifikuara në kohë, si dhe
nuk duhet të çojnë në zbatim automatik të kritereve etnike apo në vendosjen e kuotave rigide.
Përveç kësaj, rregullohet çështja e deklarimit të lirë të përkatësisë, duke garantuar vullnetaritetin
e deklarimit dhe të drejtën e qytetarit për të mos u deklaruar. Njëkohësisht, parashikohen
mekanizma për parandalimin e keqpërdorimeve të mundshme, me qëllim sigurimin e sigurisë
juridike dhe integritetit të procedurave.
Propozim-ligji vendos një kornizë institucionale për zbatimin efektiv të dispozitave të tij.
Parashikohet formimi i një Trupi Koordinues të Qeverisë, i cili do të ketë për detyrë të
monitorojë gjendjen, të propozojë masa dhe të kryejë koordinimin ndërmjet institucioneve. Ky
trup do të veprojë në bashkëpunim me institucionet kompetente, veçanërisht me Agjencinë për
Administratë, dhe do të përgatisë raporte të rregullta mbi gjendjen e përfaqësimit adekuat dhe të
drejtë.Më tej, vendoset obligimi për mbledhjen dhe analizën e rregullt të të dhënave, gjë që mundëson
krijimin e politikave të bazuara në fakte. Institucionet janë të detyruara të dorëzojnë informacion,
ndërsa raportet do të jenë të disponueshme publikisht, duke siguruar transparencë dhe
llogaridhënie.
Veçanërisht e rëndësishme është vendosja e një metodologjie për planifikimin e punësimeve, e
cila do të mundësojë një qasje sistematike dhe të parashikueshme në sigurimin e përfaqësimit,
duke marrë parasysh nevojat reale të institucioneve dhe të dhënat demografike.
V. EFEKTET E PRITURA
Me miratimin e ligjit pritet:
përmirësimi i përfaqësimit adekuat dhe të drejtë të të gjitha bashkësive në vend në nivel
lokal dhe qendror;
rritja e transparencës në procedurat e punësimit dhe avancimit;
zvogëlimi i mundësive për keqpërdorime dhe ndikim politik;
forcimi i profesionalizmit të administratës publike;
përmirësimi i marrëdhënieve ndëretnike dhe rritja e besimit në institucione.
Në afatgjatë, ligji pritet të kontribuojë në krijimin e një administrate publike efikase,
gjithëpërfshirëse dhe të depolitizuar. Zgjidhjet e propozuara janë në përputhje me standardet dhe
parimet evropiane, veçanërisht me rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Ligji inkorporon kërkesat kryesore:
primatin e kompetencës në punësime dhe avancime;
proporcionalitetin e masave;
shmangien e kuotave automatike etnike;
garantimin e mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët.
Në këtë mënyrë sigurohet përputhja me parimet e sundimit të së drejtës dhe mosdiskriminimit, si
dhe me standardet e BE-së dhe të Këshillit të Evropës.
Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat përbën një hap të rëndësishëm drejt
rregullimit sistematik të kësaj çështjeje dhe krijimit të një kornize të qartë, transparente dhe të
drejtë për zbatimin e saj. Duke vendosur një balancë ndërmjet parimit të përfaqësimit dhe parimit
të meritës, ligji ka potencial të kontribuojë në avancimin e vlerave demokratike, sundimit të së
drejtës dhe efikasitetit të administratës publike.
Njëkohësisht, miratimi i tij do të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të kohezionit ndëretnik
dhe stabilitetit të sistemit institucional në Republikën e Maqedonisë së Veriut.PROPOZIM LIGJ PËR PËRFAQËSIM TË DREJTË DHE ADEKUAT
Lënda e rregullimit
Neni 1
(1) Me këtë ligj rregullohet respektimi, afirmimi, avancimi dhe monitorimi i përfaqësimit të të
drejtë dhe adekuat të qytetarëve që u përkasin të gjitha komuniteteve në organet e pushtetit
shtetëror dhe institucionet e tjera publike në të gjitha nivelet, si vlerë themelore e rendit
kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Përkufizime
Neni 2
(1) Në kuptim të këtij ligji, termat e veçantë kanë kuptimin si vijon:
Përfaqësim adekuat është përfaqësimi i qytetarëve që u përkasin të gjitha komuniteteve
në organet e pushtetit shtetëror dhe institucionet e tjera publike në të gjitha nivelet, i cili
përafërsisht pasqyron pjesëmarrjen e tyre në popullsi, sipas të dhënave nga regjistrimi i
fundit i popullsisë si bazë referuese për planifikim.
Përfaqësim i drejtë është përfaqësimi i qytetarëve që u përkasin të gjitha komuniteteve në
organet e pushtetit shtetëror dhe institucionet e tjera publike në të gjitha nivelet përmes
sigurimit të trajtimit dhe mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët, duke respektuar
rregullat e kompetencës dhe integritetit sipas të cilave udhëhiqet administrata publike.
Qëllimet
Neni 3
(1) Qëllimi i këtij ligji është të respektojë, afirmojë dhe avancojë përfaqësimin e drejtë dhe
adekuat të qytetarëve që u përkasin të gjitha komuniteteve në organet e pushtetit shtetëror dhe
institucionet e tjera publike në të gjitha nivelet.
(2) Ky ligj siguron qasje të barabartë në punësim dhe avancim në vendin e punës, pjesëmarrje
dhe përfaqësim të qytetarëve në organet e pushtetit shtetëror dhe institucionet e tjera publike në
të gjitha nivelet, si dhe nxit përfshirjen dhe forcimin e kohezionit social përmes përcaktimit të
mekanizmave institucionalë dhe proceduralë.
Fushat e zbatimit
Neni 4
(1) Respektimi, afirmimi, avancimi dhe monitorimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të
qytetarëve që u përkasin të gjitha komuniteteve, sipas këtij ligji, zbatohet në organet e pushtetit
shtetëror dhe institucionet e tjera publike në të gjitha nivelet.Parimet
Neni 5
(1) Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat si vlerë themelore e rendit kushtetues realizohet përmes
respektimit të parimeve të:
mosdiskriminimit dhe mundësive të barabarta;
meritës, profesionalizmit, kompetencës dhe integritetit;
transparencës dhe përgjegjshmërisë në proceset e punësimit dhe avancimit në vendin e
punës;
gjithëpërfshirjes dhe kohezionit social;
proporcionalitetit, duke ruajtur plotësisht profesionalizmin, efikasitetin dhe neutralitetin
politik të administratës publike.
Deklarimi i lirë i përkatësisë
Neni 6
(1) Çdo qytetar ka të drejtë të deklarojë lirshëm përkatësinë e tij ndaj çdo komuniteti në shtet.
Kjo e drejtë ushtrohet individualisht ose së bashku me qytetarë të tjerë që i përkasin të njëjtit ose
një komuniteti tjetër, pa asnjë detyrim.
(2) Deklarimi i përkatësisë etnike është vullnetar.
(3) Qytetari ka të drejtë të mos deklarohet për përkatësinë ndaj asnjë komuniteti. Mosdeklarimi
nuk mund të ndikojë në realizimin e të drejtave dhe lirive të tij, apo në pozitën e tij në shtet.
(4) Deklarimi i lirë i përkatësisë mund të kushtëzohet me kritere objektive me qëllim
parandalimin e abuzimeve nga deklarimi arbitrar.
(5) Me qëllim anashkalimin nga keqpërdorimi nga deklarimi arbitrar nën kriteret objektive të
paragrafit 4 nga ky nen konsiderohen dokumentet personale të qytetarëve, përkatësisht emri
personal i shënuar në letërnjoftim ose në një dokument tjetër publik të lëshuar nga organi
kompetent në përputhje me ligjin.
(6) Në rast të abuzimit të konstatuar, merret vendim për refuzimin e aplikimit dhe kandidati nuk
mund të aplikojë në konkurs për 3 (tre) muajt e ardhshëm.
(7) Kundër vendimit nga paragrafi 6 nga ky nen, kandidati ka të drejtë ankese në organin e
shkallës së dytë nëse është parashikuar me ligj, përkatësisht të drejtë padie në gjykatën
kompetente brenda afateve të përcaktuara me ligj, nëse ankesa nuk lejohet.
Bazat për zbatimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat
Neni 7(1) Qytetarët që u përkasin të gjitha komuniteteve gëzojnë përfaqësim të drejtë dhe adekuat në
organet e pushtetit shtetëror dhe institucionet e tjera publike në të gjitha nivelet.
(2) Përfaqësimi nga paragrafi 1 realizohet mbi bazën e rezultateve të regjistrimit të fundit të
popullsisë, të drejtave të fituara të të gjitha komuniteteve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare që
janë pjesë e rendit juridik të brendshëm, në përputhje me Kushtetutën.
(3) Respektimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat duhet të sigurojë trajtim të barabartë për të
gjithë qytetarët, pa diskriminim, dhe të zbatohet në përputhje me parimet e barazisë, meritës dhe
kompetencës profesionale.
(4) Trajtimi diferencial për realizimin dhe avancimin e përfaqësimit të komuniteteve të nën-
përfaqësuara, me qëllim sigurimin e barazisë efektive, nuk konsiderohet diskriminim.
(5) Trajtimi diferencial nga paragrafi (4) zbatohet midis kandidatëve me kualifikime, përvojë dhe
aftësi profesionale të njëjta, për të siguruar barazinë efektive, pa cenuar parimin e kompetencës.
Masat për sigurimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat
Neni 8
(1) Organet e pushtetit shtetëror dhe institucionet e tjera publike, në të gjitha nivelet, në
përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare, ndërmarrin masa të
përshtatshme, proporcionale dhe të justifikuara në kohë për sigurimin e barazisë së plotë dhe
efektive të qytetarëve, me qëllim respektimin, afirmimin, avancimin dhe mbrojtjen e
përfaqësimit të përshtatshëm dhe të drejtë.
(2) Masat nga paragrafi 1 synojnë eliminimin e pengesave strukturore dhe faktike për qasje të
barabartë në punësim dhe avancim në sektorin publik dhe nuk duhet të çojnë në aplikim
automatik të kritereve etnike.
(3) Vëmendje e veçantë i kushtohet përmirësimit të përfaqësimit të komuniteteve më pak të
përfaqësuara në organet e pushtetit shtetëror dhe institucionet tjera të sektorit publik, ku
kualifikimet dhe kompetenca janë kriteri primar, ndërsa përkatësia e komunitetit më pak të
përfaqësuar mund të merret parasysh vetëm si kriter sekondar në rast të kualifikimeve dhe
kompetencave të barabarta.
Trupi koordinues për monitorimin e përfaqësimit
Neni 9
(1) Për monitorimin e gjendjes dhe avancimin e përfaqësimit të përshtatshëm dhe të drejtë
formohet Trupi Koordinues për zbatimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat pranë Qeverisë (në
vijim: Trupi Koordinues).(2) Trupi Koordinues funksionon në bashkëpunim me Agjencinë për Administratë (në vijim:
Agjencia).
(3) Përbërja e Trupit Koordinues përcaktohet nga Qeveria. Trupi drejtohet nga
zëvendëskryeministri, ndërsa anëtarë janë edhe ministri përgjegjës për administratën publike,
ministri përgjegjës për marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve, ministri përgjegjës për financat,
ministri përgjegjës për qeverisjen e mirë, drejtori i Agjencisë, Avokati i Popullit i Republikës së
Maqedonisë së Veriut, kryetari i Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi
të Republikës së Maqedonisë së Veriut, dy profesorë universitarë dhe një përfaqësues nga sektori
civil.
(4) Organizimi dhe funksionimi i Trupit Koordinues rregullohet me akt që propozohet nga Trupi
Koordinues dhe miratohet nga Qeveria.
(5) Trupi Koordinues mund, me iniciativë të vet ose me propozim të institucionit kompetent, të
propozojë rishikimin e politikave, programeve dhe planeve për punësim dhe avancim në sektorin
publik, me qëllim përmirësimin e përfaqësimit.
(6) Trupi Koordinues monitoron dhe vlerëson zbatimin e të drejtave të qytetarëve që u përkasin
të gjitha komuniteteve, si dhe gjendjen e marrëdhënieve ndëretnike në sektorin publik. Në bazë
të kësaj, propozon masa për përmirësimin e barazisë, përfshirjes dhe efikasitetit të administratës
publike.
Monitorimi dhe analiza e gjendjes në lidhje me përfaqësimin e drejtë dhe
adekuat
Neni 10
(1) Trupi Koordinues, në bashkëpunim me Agjencinë, rregullisht monitoron dhe analizon
zbatimin e masave dhe aktiviteteve për sigurimin e përfaqësimit të përshtatshëm dhe të drejtë.
Për këtë qëllim, të paktën një herë në vit përgatit raport që i dorëzohet Qeverisë dhe publikohet
në faqen e internetit të Qeverisë.
(2) Me kërkesë të Trupit Koordinues, të gjitha organet kompetente janë të detyruara, brenda 30
ditëve nga marrja e kërkesës, të dorëzojnë të dhëna dhe informacione lidhur me gjendjen e
përfaqësimit të qytetarëve që u përkasin të gjitha komuniteteve.
(3) Të dhënat dhe informacionet nga paragrafi (2) përfshijnë në veçanti:
– të dhëna statistikore për përfaqësimin;
– të dhëna nga regjistri i të punësuarve në sektorin publik (emri personal i shënuar në
letërnjoftim ose dokument tjetër publik të lëshuar nga organi kompetent në përputhje me ligjin);
– të dhëna për masat e zbatuara dhe shkallën e realizimit të tyre;
– informacione për problemet në zbatimin e përfaqësimit;
– shpenzimet vjetore financiare të bëra për zbatimin e ligjit;– masat dhe shpenzimet e planifikuara për vitin fiskal të ardhshëm;
– dhe të tjera.
(4) Gjatë përpunimit dhe dorëzimit të të dhënave personale respektohen dispozitat e Ligjit për
Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
(5) Nëse organet kompetente nuk i dorëzojnë të dhënat e kërkuara brenda afatit nga paragrafi (2),
Trupi Koordinues informon Qeverinë me një raport të veçantë.
Planifikimi i punësimeve
Neni 11
(1) Metodologjinë për planifikimin e punësimeve në sektorin publik në përputhje me parimin e
përfaqësimit të drejtë dhe adekuat (në vijim: Metodologjia) e miraton Agjencia në bashkëpunim
me Trupin Koordinues.
(2) Gjatë planifikimit vjetor të punësimeve, institucionet e sektorit publik janë të detyruara të
marrin parasysh planin e shpërndarjes së punësimeve të reja të përgatitur sipas Metodologjisë.
(3) Shpërndarja nga paragrafi (2) bazohet në përfaqësimin përqindor të të punësuarve në
institucion në fillim të vitit kalendarik, duke marrë parasysh të dhënat e popullsisë nga regjistrimi
i fundit dhe përfaqësimin e qytetarëve në nivel qendror dhe/ose lokal.
(4) Nëse, bazuar në të dhëna dhe analiza, konstatohet mbipërfaqësim i pjesëtarëve të një
komuniteti të caktuar në një institucion të përfshirë në nenin 4 të këtij ligji, Trupi Koordinues
është i detyruar të propozojë masa të arsyeshme për rishpërndarjen e punësimeve të reja sipas
Metodologjisë, ku mbipërfaqësimi nuk mund të jetë arsye për ndërprerjen e marrëdhënies së
punës për shkak të përkatësisë në një komunitet të caktuar.
(5) Në institucionet ku është arritur ose tejkaluar përfaqësimi i përshtatshëm, nuk duhet të
planifikohen punësime të reja mbi bazën e përfaqësimit për aq kohë sa vazhdon kjo gjendje,
ndërsa kualifikimet, profesionalizmi dhe nevojat e institucionit mbeten kriteri primar për çdo
punësim të ardhshëm.
Rritja e vetëdijes publike
Neni 12
(1) Institucionet e sektorit publik ndërmarrin aktivitete për forcimin e vetëdijes publike,
përmirësimin e edukimit dhe zhvillimin profesional lidhur me zbatimin e parimit të përfaqësimit
të drejtë dhe adekuat.
(2) Aktivitetet nga paragrafi (1) mund të përfshijnë trajnime, fushata publike, seminare,
konsultime, mbështetje për përgatitjen e akteve të brendshme, udhëzime dhe forma të tjera
edukimi dhe informimi.(3) Trupi Koordinues, përmes raportit vjetor drejtuar Qeverisë, paraqet edhe informacione për
aktivitetet e ndërmarra nga ky nen, si dhe rekomandime për përmirësimin e tyre.
(4) Mjetet për realizimin e aktiviteteve nga ky nen sigurohen nga buxhetet e institucioneve
kompetente dhe nga burime të tjera në përputhje me ligjin.
Promovimi dhe edukimi
Neni 13
(1) Institucionet e sektorit publik, në kuadër të mundësive dhe kompetencave të tyre, inkurajojnë
pjesëmarrjen e të punësuarve që u përkasin të gjitha komuniteteve në programe edukimi, trajnimi
dhe zhvillimi profesional, me qëllim përmirësimin e kompetencave dhe realizimin e parimit të
përfaqësimit të përshtatshëm dhe të drejtë.
Vlerësimi
Neni 14
(1) Zbatimi i këtij ligji i nënshtrohet vlerësimit që kryhet nga Trupi Koordinues më së voni pesë
vjet nga hyrja e tij në fuqi.
(2) Në bazë të vlerësimit, Qeveria mund të propozojë ndryshime, plotësime, kufizime ose
shfuqizime të masave të caktuara nëse konstatohet se qëllimet e barazisë efektive janë arritur ose
se masat nuk janë më proporcionale.
Dispozita kalimtare dhe përfundimtare
Neni 15
(1) Aktet nënligjore të parashikuara me këtë ligj do të miratohen brenda gjashtë muajve nga
hyrja në fuqi e këtij ligji.
(2) Qeveria, brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, do të përgatisë një pasqyrë të të
gjitha ligjeve që përmbajnë dispozita lidhur me çështjet e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, dhe
do të përgatisë propozime për harmonizimin e tyre.
Hyrja në fuqi
Neni 16
(1) Ky ligj hyn në fuqi në ditën e tetë pas publikimit në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut
