Gostivarit i shtohet një specialist i kirurgjisë orale

Pas tre vitesh përkushtim intensiv profesional dhe akademik, Dr. Visar Jashari ka përfunduar me sukses specializimin në kirurgjinë orale në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, duke shënuar një moment të rëndësishëm në karrierën e tij mjekësore.

Në një deklaratë publike, Dr. Jashari e cilësoi këtë arritje si një etapë kyçe në zhvillimin e tij profesional, duke theksuar se rrugëtimi i deritanishëm ka qenë i mbushur me sfida, por edhe me përvoja të vlefshme që kanë ndikuar drejtpërdrejt në formimin e tij si kirurg oral.

“Pas tre vitesh përkushtim të vazhdueshëm, sot përmbyll një kapitull shumë të rëndësishëm të jetës sime profesionale. Ky rrugëtim më ka pajisur jo vetëm me dije të thelluara, por edhe me përgjegjësi më të madhe ndaj profesionit dhe pacientëve,” u shpreh ai.

Duke vlerësuar rolin e stafit akademik, ai shprehu mirënjohje të veçantë për mentorimin dhe mbështetjen profesionale.

“Jam thellësisht mirënjohës ndaj mentores sime, Prof. Dr. Ljuba Simjanovska, si dhe edukatoreve Dr. Spec. Sofijanka Gerasimova Pisevska dhe Dr. Spec. Mirjana Marsovska Arsovska, për përkushtimin, udhëzimet dhe mbështetjen e vazhdueshme gjatë këtij procesi. Po ashtu, falënderoj të gjithë profesorët, doktorët dhe komisionin e specializimit për kontributin e tyre në formimin tim profesional,” deklaroi Dr. Jashari.

Ai nuk la pa përmendur as bashkëpunimin me kolegët, duke e cilësuar atë si një element të rëndësishëm të këtij rrugëtimi.

“Bashkëpunimi me kolegët ka qenë një përvojë e çmuar, që ka ndikuar në zhvillimin tim profesional dhe personal,” shtoi ai.

Në fund, Dr. Jashari theksoi rëndësinë e mbështetjes familjare në arritjen e këtij suksesi.

“Falënderimi më i veçantë i takon familjes sime, e cila ka qenë gjithmonë pranë meje dhe ka mbështetur çdo hap të këtij rrugëtimi,” u shpreh ai.

Duke parë përpara, ai nënvizoi se përfundimi i specializimit nuk është fundi, por fillimi i një etape të re profesionale.

“Ky është vetëm fillimi i një rruge të re, të cilën do ta ndjek me përkushtim të lartë dhe përgjegjësi maksimale në shërbim të pacientëve,” përfundoi Dr. Visar Jashari.

Ky sukses përbën një kontribut të rëndësishëm jo vetëm për karrierën e tij, por edhe për sistemin shëndetësor, duke sjellë një profesionist të ri të specializuar në fushën e kirurgjisë orale.