Besjan Rexhepi nga UEJL me mesazh drejtuar Mickovskit zgjidhe çështjen e gjuhës shqipe

Të dashur studentë,
Të nderuar qytetarë dhe ju të dashur të rinj, të nderuar kolegë dhe ju bashkëpuntorë,

Jam kryetari i Parlamentit Studentore prane UEJL-it.

Sot jemi këtu jo si individë të ndarë, por si një zë i përbashkët studentor që kërkon të drejtën e tij legjitime dhe të arsyeshme. Kjo nuk është një protestë kundër askujt, por një thirrje për drejtësi, barazi dhe respekt ndaj procesit tonë akademik dhe profesional.

Kërkesa jonë është e qartë dhe konkrete: mundësia që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën në të cilën kemi studiuar. Kjo nuk është kërkesë emocionale, por një çështje parimore, ligjore dhe praktike që prek drejtpërdrejt të ardhmen tonë si juristë dhe profesionistë të së drejtës.

Në një shtet multietnik si Maqedonia e Veriut kemi nevojë për zgjidhje të qarta, të plota dhe të qëndrueshme ligjore, që e respektojnë realitetin shoqëror dhe diversitetin e këtij vendi.

Prandaj, ky është një moment reflektimi për të gjithë faktorët institucionalë dhe politikë. Ky është një mesazh i drejtpërdrejtë për Ministrin e Drejtësisë, z. Filkov, që të marrë seriozisht këtë çështje dhe të reflektojë me zgjidhje konkrete ligjore, jo me vonesa apo heshtje institucionale e deri në injorim të kërkesave tona, se ne dijmë edhe të rebelohemi.

Po ashtu, është një thirrje për Kryeministrin Hristijan Mickoski që të mos e trajtojë këtë çështje vetëm në kuadër të deklaratave apo konferencave për shtyp, por të angazhohet për zgjidhje reale.

Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se të drejtën tonë këtë duhet ta kuptojë edhe secili politikan Shqipëtarë.
Ne kërkojmë zgjidhje, jo justifikime.
Ne kërkojmë veprim, jo interpretim.

Dhe mbi të gjitha, kjo lëvizje mbetet ajo që është në thelb: studentore, paqësore dhe e pastër, ja ku edhe sot e dëshmojmë me prezencë.

Faleminderit të gjithëve që jeni këtu, zëri i studentëve sot qartë duket me këtë prezencë kaq madhështore.