Nënkryetarja e Parlamentit dhe asociacionit studentor pranë Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL), Kaltrina Bytyqi, u ka bërë thirrje studentëve që të marrin pjesë në mënyrë të organizuar dhe dinjitoze në protestën e paralajmëruar për nesër në Shkup, në mbështetje të kërkesës për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, transmeton KDP.MK.
Në thirrjen publike, Bytyqi, tha se protesta nuk është vetëm një marshim nëpër rrugët e Shkupit, por, siç u shpreh ajo, “jehona e një rruge të gjatë” që ka bërë populli shqiptar ndër vite.
Ajo theksoi se dalja në protestë lidhet me kërkesën për të drejta që, sipas saj, i takojnë studentëve dhe qytetarëve shqiptarë në këtë shtet të përbashkët.
“Më 06.04.2026 nuk dalim vetëm për veten tonë, por për një të drejtë që na takon dhe na bën të ndjehemi dhe të jemi të trajtuar në mënyrë të barabartë në këtë shtet të përbashkët”, thuhet në thirrje.
Në mesazhin e saj, Bytyqi thekson se “gjuha jonë nuk negociohet” dhe se “e drejta nuk shtyhet”, duke i bërë thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës.
Ajo e paraqet këtë protest si vazhdimësi të brezave të mëparshëm, duke thënë se zëri i sotëm është “amaneti” i atyre që, sipas saj, dikur e mbrojtën gjuhën dhe identitetin shqiptar.
Në fund të thirrjes, organizatorët nënvizojnë se protesta synon të mbrojë “të drejtën e fituar dhe barazinë”, duke theksuar se ato, siç thonë ata, nuk mbrohen me heshtje.
Krej çfarë duhet të dini për debatin e provimit të jurisprudencës
Debati për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe është intensifikuar javët e fundit, pasi 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete juridike në vend, UEJL, UT, UNT, përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi të mundësohet edhe në gjuhën në të cilën ndjekin studimet (shqipe), duke theksuar se kjo u takon me ligj.
Ministria e Drejtësisë, e udhëhequr nga Igor Filkov, ka këmbëngulur se provimi nuk mund të mbahet në shqip, ndërsa mbikëqyrjen e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve e ka cilësuar si presion.
Pas një mbikëqyrjeje të jashtëzakonshme, Inspektorati i tërhoqi vërejtje ministrisë për mosmundësimin e provimit në shqip, por ministria ka paralajmëruar ankesë ndaj këtij vendimi.
Ndërkohë, Avokati i Popullit kërkoi nga Qeveria nisjen e procedurave për ndryshime ligjore në fushën e jurisprudencës, noterisë dhe përmbarimit, me qëllim harmonizimin me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.
Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë ka theksuar se provimi i jurisprudencës është provim profesional dhe “jo procedurë administrative”.
Kryeministri Hristijan Mickoski fillimisht u shpreh se studentëve duhet t’u mundësohet provimi edhe në shqip, por më pas deklaroi se ligji aktual nuk e lejon këtë dhe se çështja mund të shqyrtohet nga Komisioni i Venecias, duke premtuar edhe ndryshime ligjore në Kuvend.
Çështja ka nxitur përplasje politike mes pozitës dhe opozitës, ndërsa ekspertë dhe organizata të shoqërisë civile vlerësojnë se mbajtja e provimit në shqip nuk përbën rrezik dhe duhet të reflektojë realitetin demografik dhe dispozitat e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
Ky ligj obligon institucionet të mundësojnë përdorimin e gjuhëve zyrtare që fliten nga të paktën 20 për qind e qytetarëve, përfshirë edhe në procedurat para organeve shtetërore.
Studentët theksojnë se çështja ka rëndësi të gjerë për komunitetin akademik dhe respektimin e të drejtave gjuhësore në vend.
