Ish-udhëheqësi i Lëvizjes Studentore të viteve të 90-ta në Kosovë dhe profesori universitar, Bujar Dugolli, ka reaguar ashpër ndaj debateve të fundit në Maqedoninë e Veriut lidhur me provimin e jurisprudencës, duke e cilësuar pengimin e gjuhës shqipe si një akt nacional-shovinist që mohon të drejtat natyrore të shqiptarëve si komb shtetformues, përcjell INA.
Në vijim mund ta lexoni reagimin e tij të plotë:
Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut
kanë të drejtë të japin provimet në gjuhën e tyre amtare.
Debati aktual mbi provimet e jurisprudencës tregon qartë një të vërtetë: shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk janë pakicë, por komb shtetformues. Çdo pengesë për t’i lejuar ata të studiojnë dhe të testohen në gjuhën amtare është mohim i të drejtave natyrore dhe kombëtare.
Ky debat shfaq edhe një herë se nacional-shovinizmi i udhëheqjes shtetërore maqedonase, fatkeqësisht, është i gjallë dhe po përpiqet të krijojë madje edhe konflikte, gjë që nuk duhet lejuar.
Gjuha shqipe duhet të jetë gjuhë zyrtare në nivel shteti, krahas asaj maqedonase. Nëse në Kosovë kemi lejuar këtë për vetëm 3% të pakicës serbe, pse në Maqedoninë e Veriut nuk funonon kjo, kur gati gjysma e popullsisë dhe territorit janë shqiptarë autoktonë?
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, si ata në pushtet ashtu edhe ata në opozitë, duhet të jenë të bashkuar për të drejtat e barabarta në nivel vendi. Ajo që është arritur deri tani nuk është e mjaftueshme, dhe këtë duhet ta kuptojnë të gjithë.
Edhe Shqipëria dhe Kosova duhet të ndihmojnë, të ngrenë zërin dhe të reagojnë kundër qasjes diskriminuese dhe të padrejtë ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Një shtet anëtar i NATO-s dhe që pretendon të jetë anëtar i BE-së nuk mund të jetë diskriminues. Barazia gjuhësore dhe arsimore nuk është luks, është e drejtë, dhe vetëm kur kjo arrihet, Maqedonia e Veriut do të ketë një të ardhme të sigurt dhe të begatë për të gjithë qytetarët.
