Debati për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet e jurisprudencës po tensionohet, ndërsa studentët reagojnë ashpër ndaj përpjekjeve për politizimin e kërkesave të tyre.
Studentët reagojnë se përpjekjet e fundit për ta politizuar çështjen e provimeve në gjuhën shqipe nuk janë të rastësishme, por një strategji për të shmangur debatin nga thelbi
Një nga zërat e protestës, Suhejb Memedi, ka bërë apel publik që të ndalet keqinformimi dhe etiketimi politik i studentëve. Ai thekson se organizimi është i pavarur dhe nuk kontrollohet nga asnjë parti politike.
“Mos bini pre e provokimeve dhe dezinformatave kinse ne jemi zë i opozitës. Nuk jemi nën komandën e askujt. Jemi studentë që kërkojmë drejtësi”, deklaroi Memedi.
Ai nuk kurseu kritika as ndaj partive shqiptare në pushtet dhe opozitë, duke i bërë përgjegjëse për zvarritjen e zgjidhjes së këtij problemi.
“Sot na thoni pse nuk e rregulloni që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe, kur kjo e drejtë është e garantuar? Përgjigjja e vetme që kemi marrë është formimi i një grupi punues”, shtoi ai.
Memedi nënvizoi se studentët nuk do të lejojnë që mundi i tyre të përvetësohet nga politika.
“Kjo është e drejtë e studentëve. Mos u përpiqni të merrni meritat për diçka që nuk e keni bërë. Rrini larg”, përfundoi ai.
Në të njëjtën linjë reagoi edhe analisti Sefer Selimi, i cili vlerësoi se studentët po bëjnë atë që duhej ta kishin bërë vetë partitë politike ndër vite.
“Studentët po kërkojnë një të drejtë që u takon me ligj dhe Kushtetutë. Nëse nuk mund t’i ndihmoni, të paktën mos i pengoni duke i etiketuar apo duke i ngjyrosur politikisht”, deklaroi Selimi.
Ai theksoi se kjo nuk është një çështje partiake, por një kauzë që i bashkon studentët përtej bindjeve politike – përdorimi i gjuhës shqipe si e drejtë themelore.
Protesta e paralajmëruar e studentëve pritet të jetë testi i radhës për institucionet dhe partitë politike, përballë një kërkese që buron drejtpërdrejt nga të drejtat kushtetuese.
