Vedat Muriqi kuron në mënyrën më të mirë plagët e eliminimit në finalen e playoffit të Botërorit me kombëtaren e Kosovës. Dhe këtë e bën duke ndëshkuar as më pak e as më shumë, por Realin e Madridit në ndeshjen e javës së 30 të La Ligës duke shënuar golin e fitores 2-1 të skuadrës së tij, Mallorca që është në luftë për mbijetesë në elitën e futbollit spanjoll.
Muriqi e shënoi golin e triumfit pikërisht në minutat shtesë të ndeshjes, kur u duk se sfida po shkonte drejt barazimit 1-1. Mallorca e mbylli pjesën e parë me avantazhin 1-0 pas golit të shënuar në minutën e 41 nga Manu Morlanes.
Në pjesën e dytë rezultati 1-0 arriti të rezistojë deri në minutën e 88 kur Reali i Madridit barazoi shifrat në 1-1 me golin e Eder Militaos i kthyer në fushë pas disa muajsh mungese për shkak dëmtimi. Një barazim që zgjati shumë pak pasi erdhi goli i Muriqit që në këtë mënyrë shkon në 19 gola në këtë sezon duke iu afruar gjithnjë e më shumë Kylian Mbappe në klasifikimin e golashënuesve, ndërsa Mallorca shkon në 31 pikë. Përsa i përket Realit të Madridit, kjo humbje është një goditje e rëndë në këtë pikë të sezonit me Los Blancos që mbeten me 69 pikë.
