Agron Demiri:
Si pjesë e angazhimit tim në jetën publike dhe politike, e përshëndes dhe e mbështes fuqishëm kërkesën legjitime të studentëve të drejtësisë për të realizuar të drejtën e tyre për arsim në kushte të barabarta.
Kjo nuk është vetëm një çështje studentore, por një çështje që prek thelbin e shtetit të së drejtës dhe barazinë në shoqëri. Në veçanti, studentët shqiptarë po përballen me një padrejtësi të vazhdueshme që cenon një të drejtë themelore të garantuar me ligj, por që në praktikë mbetet e parealizuar, sidomos sa i përket mundësisë për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Në thelb, pyetja që duhet shtruar nuk është pse studentët po protestojnë, por pse institucionet nuk e trajtojn këtë çështje dhe lejojn që kjo të përshkallëzohet deri në reagim publik. Një shtet funksional i adreson kërkesat e drejta në kohën e duhur, përpara se ato të shndërrohen në pakënaqësi të hapur. Një shtet që respekton drejtësinë vepron me përgjegjësi dhe në kohë, jo vetëm atëherë kur përballet me presion publik.
Po ashtu, është e domosdoshme që shteti ynë të ecë në rrugën e ndërtimit të një shoqërie për të gjithë – një shoqëri ku secili qytetar ndihet i barabartë dhe i përfaqësuar. Çdo devijim nga kjo rrugë na largon nga parimet themelore të demokracisë dhe nuk i shërben askujt.
Prandaj, mbështetja për këtë kauzë është mbështetje për drejtësinë, për barazinë dhe për një të ardhme më të drejtë për të gjithë. Studentët protestojnë me të drejtë dhe duhet mbështetur pa asnjë hamendje.
#mestudentët🙌❤️
