Heshtje dhe tmerr kanë kapluar lagjen ku ndodhi vrasja në Gostivar.

Një 34-vjeçar me inicialet M.D. është arrestuar në orët e para të mëngjesit, pasi dyshohet se ka vrarë babanë e tij 63-vjeçar, K.D.

Gazetari Nevrij Ademi ka vizituar lagjen ku ndodhi ngjarja e rëndë. Fqinjët, të cilët i njihnin mirë babanë dhe djalin, thonë se tragjedia nuk ishte krejt e papritur.
“Djali abuzonte me alkoolin, ndërsa babai shpesh kishte shenja të dukshme dhune,” rrëfejnë ata. “Ne shpesh ndiheshim të provokuar, por gjithmonë përpiqeshim të shmangnim konfliktet, për të mos pasur pasoja.”

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, rreth orës 01:30 një person mashkull ka raportuar se dyshon për vrasjen e një anëtari të familjes së tij. Zyrtarët policorë menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në shtëpi kanë gjetur K.D. pa shenja jete, me lëndime të dukshme dhe shenja dhune në kokë.

Më 31.03.2026, rreth orës 01:50, policia e Stacionit Policor të Gostivarit e ka privuar nga liria M.D., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “vrasje”.

Sipas deklaratave fillestare të të dyshuarit, babai i tij kishte ndërruar jetë një ditë më parë, rreth orës 14:50, pasi ishte rrëzuar, por ngjarjen nuk e kishte raportuar tek organet kompetente.

Prokurori Publik është njoftuar dhe po ndërmerren të gjitha masat për zbardhjen e plotë të rrethanave. Pas përfundimit të hetimeve, do të parashtrohet kallëzim përkatës.

Ngjarja e rëndë ka tronditur familjen dhe komunitetin. Një marrëdhënie që duhet të ishte e mbushur me dashuri dhe kujdes ka përfunduar në tragjedi dhe dhimbje të thellë.