Sulmon të tjerët, por a i shmanget përgjegjësisë? E kaluara ndjek Nikolovskin

Ministri Aleksandar Nikolovski ka kritikuar partinë “E Majta”, duke e akuzuar për mungesë reagimi ndaj zhvillimeve në Pogradec dhe për moskundërshtim të politikave të kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Megjithatë, deklaratat e tij kanë nxitur diskutime më të gjera lidhur me përgjegjësitë e vetë institucioneve vendore ndër vite. Vëzhgues të çështjeve mjedisore theksojnë se Shqipëria ka ndërmarrë hapa konkretë për të përmbushur rekomandimet e UNESCO, përfshirë ndërhyrje për mbrojtjen e zonave të ndjeshme në rajonin e Pogradecit.

Në të njëjtën kohë, vëmendja rikthehet te periudha kur në pushtet ishte Nikola Gruevski, e cila shpesh lidhet me lejimin e ndërtimeve pa leje dhe zhvillime të pakontrolluara, përfshirë zonat pranë Liqenit të Ohrit. Gjatë asaj kohe, Aleksandar Nikolovski konsiderohej bashkëpunëtor i afërt i Gruevskit, çka sipas analistëve e bën të vështirë shmangien e përgjegjësisë politike për politikat e ndjekura në atë periudhë.

Në këtë kontekst, njohës të çështjeve theksojnë se sfidat aktuale nuk mund të adresohen duke u fokusuar vetëm te zhvillimet në vendet fqinje, por kërkojnë reflektim dhe përgjegjësi për vendimet e së kaluarës.

Liqeni i Ohrit, si pasuri e mbrojtur nga UNESCO, mbetet një përgjegjësi e përbashkët e të dy vendeve, ku përparimi matet përmes masave konkrete dhe zbatimit të standardeve ndërkombëtare.